Flash

Raporti bombë/ Si dështoi në çdo hallkë shërbimi sekret në atentatin ndaj Donald Trump

Droni fluturoi pa u diktuar, sulmuesi u pa me pushkë mbi çati dhe 102 komunikime radio u humbën: raporti zbulon zinxhirin e dështimeve që i hapën rrugë atentatit ndaj Trump.

Lapsi.al 3 July 2026

Një raport i ri i Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare (DHS) ka zbuluar dështime serioze operacionale dhe organizative të Shërbimit Sekret të SHBA-së, të cilat, sipas raportit, krijuan kushtet që mundësuan tentativën për atentat ndaj Donald Trump më 13 korrik 2024, në Butler të Pensilvanisë. 

Gjatë një mitingu elektoral, Trump u plagos në vesh nga një plumb, ndërsa një spektator humbi jetën. Autori i sulmit u neutralizua më pas nga një snajper i policisë. 

Raporti thekson se tentativa mund të ishte parandaluar, por mungesa e procedurave të brendshme, koordinimi i dobët dhe komunikimi joefektiv mes agjencive të sigurisë çuan në dështimin e reagimit në kohë.

Sipas hetimit, autori i sulmit, Thomas Matthew Crooks, ishte pikasur mbi çatinë e një ndërtese me një pushkë rreth dy minuta përpara se të hapte zjarr ndaj Donald Trump. Megjithatë, ky informacion nuk iu përcoll në kohë ekipit përgjegjës për sigurinë e ish-presidentit.

Pesë gjetjet kryesore të raportit

 
1. Droni i autorit nuk u zbulua kurrë 

Raporti zbulon se sulmuesi kishte fluturuar një dron për rreth nëntë minuta mbi zonën e aktivitetit disa orë përpara sulmit, pa u diktuar nga Shërbimi Sekret. Sipas raportit, operatori i vetëm i sistemit kundër dronëve nuk kishte trajnim të mjaftueshëm, nuk kishte kontrolluar pajisjet një ditë më parë dhe sistemi pësoi defekt pikërisht gjatë kohës së fluturimit të dronit.

2. Nuk u krijua një qendër e përbashkët komunikimi

Shërbimi Sekret dhe policia lokale nuk arritën të krijonin një sistem të unifikuar komunikimi dhe koordinimi. Dy strukturat operonin nga ambiente të ndryshme, çka bëri që Shërbimi Sekret të humbiste 102 komunikime radiofonike të policisë lokale që lidhnin me të dyshuarin.

Po ashtu, nuk u morën në kohë informacionet se një person i armatosur ndodhej mbi çati, duke bërë që ekipi i sigurisë së Trump të mos paralajmërohej.

3. Informacionet e inteligjencës nuk u shpërndanë

Raporti thekson se, megjithëse Drejtoria e Inteligjencës e Shërbimit Sekret kishte marrë informacione të klasifikuara për një kërcënim serioz ndaj Donald Trump, ato nuk iu transmetuan zyrës lokale në Pittsburgh dhe as agjentëve përgjegjës për planifikimin e sigurisë së aktivitetit. Si pasojë, nuk u kërkua përforcim i masave të sigurisë apo personel shtesë.

4. Mangësi të mëdha në sigurinë jashtë perimetrit

Hetimi evidenton koordinim të pamjaftueshëm me Policinë Shtetërore të Pensilvanisë (PSP) dhe njësinë speciale lokale ESU.

Edhe pse Shërbimi Sekret shqyrtoi planet operative, ai nuk dha komente dhe nuk kërkoi ruajtjen e kompleksit të ndërtesave pranë vendit të aktivitetit, duke lënë të pambrojtur zonën nga ku autori realizoi sulmin.

5. Nuk u bllokua fusha e shikimit drejt skenës 

Raporti nënvizon se autoritetet kishin identifikuar më herët se nga pjesë të kompleksit ekzistonte një vijë e drejtpërdrejtë shikimi drejt skenës ku ndodhej Donald Trump, gjë që përbënte rrezik sigurie.

Megjithatë, nuk u instaluan pajisjet e nevojshme për të penguar këtë pamje, duke i mundësuar sulmuesit një fushë të pastër dhe të pandërprerë qitjeje nga çatia.

Raporti përfundon me shtatë rekomandime për forcimin e sigurisë në aktivitetet publike. Mes tyre përfshihen përmirësimi i trajnimit për sistemet kundër dronëve, prania e detyrueshme e autoriteteve lokale në qendrat e përbashkëta të komunikimit, si dhe procedura më të rrepta për eliminimin e vijave të rrezikshme të shikimit drejt personave të mbrojtur.

Sipas raportit, Shërbimi Sekret i SHBA-së ka pranuar plotësisht të gjitha rekomandimet dhe ka nisur tashmë zbatimin e tyre. 

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI