Flash

SHBA shpall Los Tiguerones organizatë terroriste, Rubio kërcënon Meksikën

Lapsi.al 10 September 2026

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka kritikuar ashpër Meksikën për atë që e cilësoi si masa të pamjaftueshme kundër karteleve të drogës, duke paralajmëruar se kërcënimi duhet të trajtohet “në një mënyrë ose në një tjetër”. Deklarata u bë gjatë vizitës së tij në Ekuador, ndërsa Uashingtoni njoftoi gjithashtu përfshirjen e grupit kriminal ekuadorian Los Tiguerones në listën amerikane të “organizatave të huaja terroriste”.

Rubio tha se pjesë të mëdha të territorit meksikan nuk janë nën kontrollin efektiv të shtetit dhe se në këto zona veprojnë organizata që ai i përshkroi si “narko-terroriste”.

“Në Meksikë ka territore të gjera që nuk qeverisen nga shteti”, deklaroi Rubio, duke e cilësuar situatën si një kërcënim serioz për sigurinë në rajon. 

Megjithatë, sekretari amerikan pranoi se qeveria e presidentes meksikane Claudia Sheinbaum ka bërë përparim në luftën kundër karteleve, por sipas tij, Meksika “nuk po bën mjaftueshëm”.

Rubio nuk dha detaje se çfarë nënkuptonte me paralajmërimin se kërcënimi do të duhet të adresohet “në një mënyrë ose në një tjetër”.

Në të njëjtën ditë, Shtetet e Bashkuara njoftuan klasifikimin e Los Tiguerones si “organizatë të huaj terroriste”, në kuadër të fushatës së administratës amerikane kundër grupeve kriminale dhe rrjeteve të trafikut të drogës në Amerikën Latine.

“Nuk po flasim për një mafi tipike, nuk po flasim për kriminelë, po flasim për terroristë”, tha Rubio në Quito, duke e cilësuar Ekuadorin si një aleat të ngushtë të SHBA-së.

Ekuadori, dikur i konsideruar ndër vendet më të sigurta të Amerikës Latine, është përballur vitet e fundit me një rritje të fortë të krimit të organizuar, trafikimit të drogës dhe dhunës mes grupeve rivale.

Pozicioni gjeografik e ka kthyer Ekuadorin në një pikë të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të drogës. Portet e tij në Oqeanin Paqësor dhe afërsia me Kolumbinë dhe Perunë, dy prej prodhuesve kryesorë të kokainës në botë, e kanë bërë vendin një qendër të rëndësishme eksporti.

Sipas shifrave të cituara nga autoritetet amerikane, rreth 70% e kokainës që trafikohet drejt Shteteve të Bashkuara dhe Evropës kalon përmes Ekuadorit.

Rubio ndodhet në një turne në Amerikën Latine, ku pas Ekuadorit pritet të vizitojë Perunë, ndërsa më herët ka qëndruar në Kolumbi.

Sipas tij, grupet kriminale në rajon disponojnë “armë dhe pajisje të ngjashme me ato të ushtrive të disa vendeve”.

Të këshilluara

ide

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

Dhunë? Po, të lutem! Por, kundër kujt?

Dëmi që i është bërë Shqipërisë përgjatë qeverisjes së regjimit të Ramës, është radikalisht i pakrahasueshëm me dëmin minimal të shkaktuar përgjatë këtyre ditëve."

20:08 Agon Hamza

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI