Flash

Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve ngre shqetësim për mos zbatimin e vendimit të Kushtetueses për pagat e magjistratëve

Lapsi.al 17 September 2026

Bordi i Shoqatës Evropiane të Gjyqtarëve ngre shqetësim për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me formulën për përcaktimin e pagave të magjistratëve. Përmes një deklarate të nënshkruar nga presidentja e shoqatës, gjyqtarja austriake Sabine Matejka dhe zv.presidentët, gjyqtari gjerman Roland Kemple dhe ajo polake Dorota Zabludoëska, ngrihet shqetësimi se si ligjvënësi në Shqipëri, ligjvënësi po përpiqet të anashkalojë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në deklaratë konstatohet fakti se, Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.15 të shkurtit të këtij viti, e ka shpallur antikushtetues sistemin ekzistues të pagave për gjyqtarët, prokurorët dhe personelin tjetër të gjykatave, si dhe i ka urdhëruar ligjvënësit të ndryshojnë dispozitat përkatëse në përputhje me udhëzimet e saj, brenda një afati të caktuar, që ishte 31 korriku. Po ashtu, sillet në vëmendje se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se cilat dispozita do të zbatohen, në rast se ligjvënësi nuk vepron.

“Jo vetëm që këto udhëzime janë shpërfillur dhe është vendosur pagesa e shumës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, por në Parlament është paraqitur edhe një projektligj që parashikon rillogaritjen me efekt prapaveprues të shpërblimit në fjalë”, konstaton Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve.

Sipas Shoqatës, nëse projektligji do të miratohet, do të vendoste një metodë llogaritjeje që duket po aq problematike sa ajo që gjykata e shpalli antikushtetuese.

“Me pak fjalë, ligjvënësi po përpiqet të anashkalojë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, citohet në deklaratë.

“Zbatimi efektiv i vendimeve gjyqësore, i cili buron nga natyra e tyre detyruese, është një element themelor i shtetit të së drejtës. Vetë koncepti i një gjykate të pavarur, i përcaktuar në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nënkupton që një gjykatë ka autoritetin të japë një vendim detyrues, i cili nuk i nënshtrohet ndryshimit, miratimit apo ratifikimit nga ndonjë autoritet jogjyqësor”, konstaton shoqata.

Në vijim, vendoset theksi në faktin se vendimet e gjykatave kushtetuese kanë natyrë përfundimtare dhe detyruese, që rrjedhin nga epërsia e Kushtetutës. Sipas Shoqatës, këto vendime duhet të respektohen nga të gjitha autoritetet publike dhe individët.

“Mosrespektimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese është i barasvlershëm me shkeljen e vetë Kushtetutës”, citohet në deklaratë.

Sipas Shoqatës, zhvillimet lidhur me këtë çështje shkelin shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit dhe ndarjen e pushteteve, si dhe dëmtojnë besimin te shteti dhe reformat pozitive të sistemit gjyqësor në Shqipëri.

Bordi i Shoqatës Evropiane të Gjyqtarëve kërkon që ky regres i propozuar të mund të parandalohet. Po ashtu, bënë me dije se do të mbështetin përfaqësinë e gjyqtarëve në Shqipëri, për ta ngritur këtë çështje në nivelin më të lartë dhe për ta vendosur në axhendën e Asamblesë së Përgjithshme të saj, me qëllim informimin e aktorëve përkatës ndërkombëtarë dhe evropianë, mbi këtë situatë shqetësuese në Shqipëri.

Institucionet e drejtësisë e kundërshtuan projektligjin për pagat e magjistratëve duke e cilësuar të pambështetur në Kushtetutë dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, si dhe i kërkuan Kuvendit që të mos e kalojë për miratim në gjendjen që është.

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi në shkurt të këtij viti si të papajtueshme me Kushtetutën formulën e mëparshme të miratuar nga Kuvendi për pagat e magjistratëve dhe i la ligjvënësit afat deri më 31 korrik për miratimin e një formule të re.

Vendimi parashikonte gjithashtu një mekanizëm zhbllokues, sipas të cilit formula e re e pagave do të përcaktohej nga vetë organet qeverisëse të sistemit të drejtësisë në rast se Kuvendi nuk vepronte brenda afatit.

Pas përfundimit të afatit, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përcaktuan një pagë bazë referuese prej 222 mijë lekësh dhe 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Këshillat vendosën gjithashtu kompensimin e asaj që e konsideruan “ulje të fshehur” të pagave nga ligji i mëparshëm, për periudhën nga prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.

Ministria e Financave refuzoi ta zbatonte këtë përllogaritje, ndërsa magjistratët iu drejtuan SPAK me kallëzim penal dhe Gjykatës Administrative me padi. Gjykata Administrative vendosi në favor të pagesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas formulës së përcaktuar nga këshillat.

Përplasja mes institucioneve të drejtësisë dhe shumicës parlamentare pritet tashmë të zhvendoset në seancën plenare të së enjtes, ku projektligji është parashikuar për votim. /Marrë nga Reporter.al

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

11°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI