Flash

Tabaku: Korrupsioni është taksa e fshehtë që paguan çdo shqiptar

Lapsi.al 26 September 2026

Jorida Tabaku, e ka vendosur korrupsionin në qendër të “Këndit të Fundjavës”, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me rritjen e kostos së jetesës, dobësimin e ekonomisë dhe humbjen e vendeve të punës.

Sipas Tabakut, korrupsioni nuk është një dukuri e largët nga përditshmëria e qytetarëve, por një faturë që paguhet çdo muaj nga familjet dhe sipërmarrjet shqiptare.

 
“Kur një tender fryhet, diferencën e paguan qytetari. Kur një kontratë i jepet mikut dhe jo kompanisë më të mirë, humbet sipërmarrësi i ndershëm. Kur paratë publike shkojnë te klientët e pushtetit, ato mungojnë për pensionet, shkollat, shëndetësinë dhe mbështetjen e prodhimit”, deklaroi Tabaku.

Ajo e cilësoi korrupsionin si “taksën e fshehtë” që merr çdo ditë një pjesë nga të ardhurat e shqiptarëve.

Deputetja demokrate solli si tregues edhe rritjen e çmimeve. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT-it, ajo tha se në dhjetor 2025 niveli i përgjithshëm i çmimeve ishte 20,9 për qind më i lartë se në dhjetor 2020, ndërsa çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike ishin rritur me 35,6 për qind.

“Edhe kur inflacioni vjetor ngadalësohet, çmimet nuk kthehen pas. Ato mbeten në nivelin e ri, ndërsa familja vazhdon ta paguajë çdo ditë diferencën”, u shpreh Tabaku.

Sipas saj, vështirësitë e familjeve shoqërohen me dobësimin e prodhimit dhe të eksporteve. Tabaku deklaroi se eksportet e mallrave ranë nga rreth 430 miliardë lekë në vitin 2023 në 346 miliardë lekë në vitin 2025, ndërsa deficiti tregtar arriti në 541 miliardë lekë.

Në fokus të analizës së saj ishte industria e tekstileve dhe këpucëve, eksportet e së cilës, sipas shifrave të paraqitura prej saj, ranë me rreth 22,4 miliardë lekë brenda dy vjetësh. Tabaku paralajmëroi se pas këtyre treguesve qëndrojnë mijëra vende pune, kryesisht të grave dhe të familjeve në zona ku mundësitë e tjera të punësimit janë të kufizuara.

 
Ajo vlerësoi se zhvlerësimi i euros ka qenë një goditje shtesë për eksportuesit shqiptarë, të cilët arkëtojnë në euro, por paguajnë në lekë pagat, energjinë, sigurimet dhe një pjesë të kostove të prodhimit.

Tabaku ngriti gjithashtu pikëpyetje për krijimin dhe funksionimin e shoqërisë “Guna Tactical”, të ngritur për prodhimin e uniformave ushtarake. Ajo kërkoi transparencë për përzgjedhjen e partnerit privat, vlerën e pasurisë publike të vendosur në dispozicion, kontratat e garantuara dhe kalimin e shtetit nga aksioner shumice në aksioner pakice.

“Nuk jemi kundër prodhimit vendas të uniformave. Përkundrazi, duam që çdo produkt që mund të prodhohet në Shqipëri të mbajë vulën ‘Made in Albania’. Por ‘Made in Albania’ nuk duhet të shndërrohet në ‘Made for the friends of government’”, theksoi ajo.

Deputetja e PD-së kërkoi publikimin e marrëveshjeve dhe kontratave të shoqërive të KAYO-s, transparencë mbi pronarët përfitues, auditim të pavarur të pasurive publike dhe konkurrim të hapur për furnizimet.

Për industrinë përpunuese, Tabaku propozoi rimbursim më të shpejtë të TVSH-së, mbështetje të lidhur me ruajtjen e vendeve të punës, financim për teknologjinë dhe eficiencën energjetike, trajnim profesional dhe kalimin nga fasoneria drejt prodhimit me cikël të plotë dhe markave shqiptare.

“Shqipëria nuk mund të ketë si produktin e saj më të suksesshëm korrupsionin. Duhet të prodhojë ushqime, veshje, këpucë, teknologji, ide dhe vende pune të paguara mirë”, deklaroi Tabaku.

Në përfundim, ajo e drejtoi përgjegjësinë politike te qeveria socialiste dhe kryeministri Edi Rama, duke argumentuar se modeli aktual favorizon një pakicë të lidhur me pushtetin në kurriz të familjeve, punonjësve dhe sipërmarrësve të ndershëm.

“Shqiptarët po punojnë. Sipërmarrësit po përpiqen. Ajo që nuk po punon për ta është qeveria”, përfundoi Tabaku.

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

16°c

KËMBIMI EURO

90.77

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI