
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka thirrur një marshim solidariteti për studentët protestues, këtë të martë, më 20 tetor, në orën 10:00, përpara Universitetit Politeknik. Në njoftimin e saj, SPUSH deklaron se ka mbështetur protestën studentore që prej nisjes së saj dhe shpreh shqetësim për ndërhyrjet e policisë gjatë ditëve të fundit.
“Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka qenë në përkrahje dhe pjesë e protestës së studentëve të nisur prej gjashtë ditësh. Ajo po ndjek me kujdes dhe shqetësim të jashtëzakonshëm dhunën policore”, thuhet në reagim.
Thirrja e sindikatës vjen një ditë pasi 963 pedagogë, akademikë dhe përfaqësues të jetës publike firmosën një deklaratë me pesë pika. Mes kërkesave të tyre janë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie kujdestare dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore.