
Edi Rama deklaroi sot se ulja e TVSH-së për ushqimet bazë dhe heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës erdhën “falë pikërisht rritjes së ekonomisë”, si pjesë e përpjekjes së qeverisë për të “zbutur sa të mundemi hendeqet sociale”, duke këmbëngulur se këto masa i sollën mundësitë e reja ekonomike. Por sa e vërtetë është kjo? A ishte vërtet rritja ekonomike që e bindi kryeministrin të bënte sot atë që kishte refuzuar për vite me radhë, apo ishte revolta në rrugë që ia kujtoi papritur hallet e shqiptarëve?
Kujt nuk i ka pëlqyer protesta e dhunshme e studentëve në dy javët e fundit, ka sot një arsye më shumë për të reflektuar mbi natyrën e tubimeve antiqeveritare. Sado të pakëndshme që mund të duken breshëritë e gurëve dhe sado të pahijshme që mund të tingëllojnë sharjet dhe agresiviteti në revoltën e studentëve me maska, ato duket se kanë arritur atë që nuk e arritën për vite me radhë as argumentet ekonomike, as ankesat e qytetarëve dhe as premtimet elektorale: ta detyrojnë kryeministrin Edi Rama të ulë çmimin e naftës duke hequr taksën e qarkullimit dhe të ulë TVSH-në për ushqimet bazë nga 20% në 6%.
E para ishte një kërkesë e refuzuar me shpërfillje dhe arrogancë nga qeveria për thuajse një dekadë, edhe pse çmimi i naftës ka kapur shifra rekord ndër vite, si për shkak të pandemisë, ashtu edhe për shkak të luftës në Ukrainë. E dyta ishte një premtim i dhënë 13 vite më parë, por gjithnjë i harruar nën propagandën e 12 milionë turistëve dhe sukseseve imagjinare të imazhit të Shqipërisë në botë. Por duket se për ta detyruar qeverinë të dëgjonte nuk mjaftonin as varfëria në xhepat e qytetarëve, as çmimet e kripura, as faturat e shtrenjta. U desh që mijëra të rinj të bëheshin bashkë për ta shndërruar protestën nga një marshim paqësor në një përplasje të ashpër me forcat e policisë.
Prandaj, kur të paguani më pak para në karburant dhe në dyqan, nuk duhet harruar se kjo nuk ndodhi as nga memet, as nga shkrimet në rrjetet sociale, as nga mesazhet e ambasadave dhe as nga zemërgjerësia që lindi papritur në zemrën e qeverisë më të korruptuar në Europë. Nuk ishte ndonjë iluminim ekonomik që e zgjoi kryeministrin një mëngjes me dëshirën për të kursyer paratë e shqiptarëve. Ishte frika e tij se zemërimi i rrugës mund t’i kushtonte shumë më tepër se të ardhurat që qeveria do të humbasë nga taksat.
E vërteta është se ky lëshim erdhi pas breshërive të gurëve që u shkulën nga trotuaret, molotovëve që u hodhën në rrugë dhe sakrificës së qindra e mijëra të rinjve që kaluan netët në qelitë e paraburgimit; të njëjtët që treguan se janë gati të sakrifikojnë për të mos u nëpërkëmbur, duke e bërë Ramën të zgurdullojë sytë mëngjesin e 14 tetorit, siç duket në foton më lart./Lapsi.al