
Një reagim i pazakontë nga një prift gjatë trazirave që ndodhën fundjavën e kaluar në qendër të Milanos është bërë viral në mediat sociale, duke mbledhur miliona shikime dhe komente.
Protagonisti është 65-vjeçari Atë Giannicola Maria Simone, i cili, kur një i ri pjesëmarrës në trazira i tregoi gishtin e mesëm, vendosi t'i përgjigjej me të njëjtën mënyrë.
Incidenti ndodhi para kishës së Shën Aleksandrit të Zebedisë, pak metra larg rrugës Via Torino, teksa të rinjtë e përfshirë në incidente po përpiqeshin të largoheshin nga qendra e qytetit.
Prifti, i cili vjen nga Milano dhe ia ka kushtuar jetën punës me të rinjtë, ka shpjeguar se çfarë ndodhi, pse reagoi në këtë mënyrë dhe si po i përballon komentet që ka provokuar videoja.
“Isha brenda kishës dhe po shikoja çfarë po ndodhte. Në një moment pashë që nga Torino, njerëzit e mbledhur filluan të shtyheshin dhe të shpërndaheshin në rrugët e ngushta drejt Piazza San Alessandro. Pastaj vrapova për ta mbyllur kishën.
Kishte shumë njerëz që përpiqeshin t'u shpëtonin demonstruesve të dhunshëm dhe i lashë të gjithë të hynin. Nuk ishin besimtarë që kishin ardhur për shërbesën, por turistë dhe kalimtarë të tjerë. Ata qëndruan këtu derisa trazirat kaluan", - tha prifti për Corriere.
Kur u pyet për veprimin që bëri, të cilin shumë e konsideruan të krijuar nga Inteligjenca Artificiale ai tha: "Është e vërtetë, megjithëse tani qarkullojnë edhe versione të rreme të saj. Ja çfarë ndodhi. Kur këta të rinj po kalonin, dikush më tregoi gishtin e mesëm. Janë fëmijë, kështu që nuk më habit. Iu përgjigja me të njëjtin gjest, por pa asnjë qëllim dhune apo dëshirë për të shkaktuar edhe më shumë tension".
Kur u pyet nëse pendohej, ai u përgjigj: "Jo, nuk mendoj se ka çështje pendimi. Nëse do ta kisha goditur me grusht, atëherë po. Por unë kurrë nuk i kam ngritur dorën askujt, as në momentet më të vështira.
Jam 65 vjeç dhe kam punuar me fëmijë dhe të rinj gjithë jetën time. Ndonjëherë duhet t'u thuash "kini kujdes çfarë po bëni". Sigurisht, nëse nuk do të ishim në atë klimë incidentesh, nuk do ta kisha bërë kurrë një gjë të tillë." ©LAPSI.al