
Jamal Musiala është jashtë fushave. Këtë sezon ka luajtur shumë pak, vetëm një numër të vogël ndeshjesh. Pritet të rikthehet pas pushimit për ndeshjet e kombëtareve. Aktualisht është jashtë për shkak të një problemi muskulor, por vështirësitë me të cilat është përballur gjatë muajit gusht kanë qenë krejt të tjera.
Musiala humbi ndjenjat gushtin e kaluar gjatë një ndeshjeje miqësore, ndërsa pak ditë më vonë pësoi një tjetër gjendje të fikëti, teksa ishte në fushë. Për gjendjen e tij ka folur Uli Hoeness, presidenti i nderit i Bayern Munich, i cili nuk ka hyrë në detaje, por ka shpjeguar se klubi po përballet me një sërë vështirësish, pasi sëmundja e futbollistit të talentuar nuk kurohet lehtësisht.

Hoeness: “Jemi përballë një dileme me futbollistin Musiala”
Uli Hoeness nuk ka më një rol drejtues në Bayern Munich, por është dhe do të mbetet gjithmonë një person me peshë në klub. Në programin “Sonntags-Stammtisch” ai foli edhe për fantazistin Musiala, pa përdorur fjalë të buta, ashtu siç është në stilin e tij. Në këtë moment mbizotëron një pasiguri e madhe për të ardhmen sportive të numrit 10 të bavarezëve. Problemet e futbollistit janë neurologjike dhe shkaktojnë shqetësim: “Me të ndodhemi përballë një dileme, sepse ka një sëmundje që nuk kurohet lehtësisht”.

“Nuk është e qartë nëse do të arrijë të rikthehet si dikur”
Hoeness nuk ka dhënë shumë detaje, por ka shpjeguar se problemi i futbollistit të lindur në vitin 2003 nuk kurohet lehtësisht. Megjithatë, kjo sëmundje mund të “menaxhohet në njëfarë mënyre”, duke ndjekur një protokoll të caktuar. Kjo do të thotë se si futbollisti, ashtu edhe klubi duhet të tregojnë shumë kujdes. Hoeness nuk është optimist: “Nuk është e qartë nëse do të arrihet ndonjëherë të rikthehet në nivelin e performancës që kishte më parë”.
Presidenti i nderit i Bayern Munich mendon edhe për financat dhe buxhetin, por me pak ndjeshmëri dhe shumë prakticitet shprehet se Bayern nuk do ta vërë në diskutim kontratën e Jamal Musiala: “Imagjinoni sikur të ishte kështu”.
Lojtari do të vazhdojë ta marrë rregullisht pagën e tij, pavarësisht numrit të aktivizimeve. Dëmtimi muskulor i pësuar me kombëtaren në ndeshjet e para të Kloppit si trajner i përfaqësueses e mban jashtë fushave, por ai problem do të zgjidhet. Vështirësia tjetër, ajo më seriozja, është shumë më e ndërlikuar për t'u zgjidhur. Megjithatë, me masat e duhura parandaluese, Musiala mund të vazhdojë të luajë. Ndërkohë, ai do të marrë mbështetjen e klubit të tij, i cili do të përpiqet ta ndihmojë.