
Iluzioni se Edi Rama do të marrë ndonjë goditje nga SPAK është përkundur sërish, mbi një valë tjetër thashethemesh, duke marrë shkas nga një shkresë që ka firmosur kreu i prokurorisë spciale, Klodian Braho, me të cilën konfirmon se është regjistruar një procedim penal në lidhje me librin “Albanian Files”.
Procedimi ka të bëjë me kallëzimin që bënë në prokurorinë speciale 11 ekspertë, aktivistë dhe protestues ndaj kryeministrit Edi Rama, funksionarëve të tjerë publikë dhe subjekteve private të lidhura me projektet turistike në Zvërnec, Baks-Rrjoll dhe Divjakë-Karavasta.
Në një shkresë të datës 6 nëntor, drejtuesi i SPAK-ut, Klodjan Braho pranon se procedimi penal nr. 97 është regjistruar më 10 shtator 2026 dhe ndodhet në hetim.
Kjo do të thotë se është hapur zyrtarisht një çështje penale për verifikimin e fakteve të kallëzuara nga aktivistët, por shkresa e Klodian Brahos nuk përcakton cilët persona janë regjistruar me emër nën hetim apo cilat vepra penale po hetohen.
Bazuar në të dhënat që dolën në librin “The Albanian Files” aktivistët ngritën dyshime për shpërdorim detyre, ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë, korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë dhe grup të strukturuar kriminal, duke pasur në qendër të kallëzimit Edi Ramën.
Tre rastet në fokus
Në Zvërnec, kallëzimi lidhet me projektin turistik “Zvernec Peninsula”, në zonën e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë. Sipas materialeve të paraqitura, punimet kryhen nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”. Kallëzuesit kërkojnë verifikimin e miratimeve administrative dhe mjedisore, si dhe transparencën e strukturës së pronësisë. Projekti është kundërshtuar nga banorë dhe aktivistë për ndikimin në mjedis dhe kufizimin e aksesit në bregdet.
Në Baks-Rrjoll, çështja përfshin resortin “Baks Bay”, të njohur më herët si “Blue Borgo”, të kompanisë “Gener 2”. Projekti parashikon 35 blloqe rezidenciale, nga një deri në dhjetë kate, në rreth 147,2 hektarë mes Lagunës së Vilunit dhe Ranës së Hedhun. Kallëzuesit kërkojnë hetimin e vendimeve të KKT-së dhe sqarimin e statusit të investitorit strategjik. Banorët kanë kundërshtuar projektin dhe kanë ngritur pretendime pronësie mbi tokën.
Në Divjakë-Karavasta, kallëzimi i referohet masterplanit “Kingscoast”, të depozituar në tetor 2023. Sipas kallëzuesve, ai parashikon zhvillim urban brenda parkut kombëtar, ndërsa territori figuron ende si zonë e mbrojtur. Kërkohet të verifikohet përputhshmëria e projektit me kufizimet ligjore dhe mjedisore.
Iluzioni se SPAK do të rrëzojë Ramën
Shpresa se SPAK do të hetojë dhe do të procedojë Edi Ramën kryeministër është e vjetër po aq sa krijimi i prokurorisë speciale. Për momentin, heroi që vërvit shpatën e drejtësisë mbi kokën e të korruptuarve rezulton të jetë Klodian Braho, por dikur ka qenë Altin Dumani dhe para tij, Arben Kraja.
Deri më tani, asnjë prej tyre nuk ka guxuar ta thërrasë në prokurori Ramën. Emri apo firma e kryeministrit implikohet në dosjet e inceneratorëve ku ai ka vënë firmën për t'i dhënë bonus një kompanie që nuk ekzistonte, tek “McGonigal” ku ai takohet personalisht me shefin e korruptuar të FBI në kryeministri, tek dosja “Balluku” ku ka dhënë porosi për ndarjen e tenderave etj. Sërish, Rama nuk është marrë asnjëherë në pyetje, as për një verifikim faktesh apo deklaratash që lidhen me të.
Por fakti se prokurorët kanë një vijë të kuqe në punën e tyre, nuk do të thotë se kanë qëndruar duarkryq në këto vite. Përkundrazi, hetimet e SPAK kanë çuar në arrestimin e Sali Berishës, në burgosjen e Ilir Metës dhe përndjekjen e disa prej ish-bashkëpuntorëve të Ramës brenda Partisë Socialiste.
Opozita ka vite që akuzon SPAK se është përdorur për eleminimin e kundërshtarëve politikë të Ramës. Së fundmi, këtyre zërave i është bashkuar edhe Erion Veliaj që e fajëson kryeministrin për arrestimin e tij.
E megjithatë, ideja se Ramën do ta rrëzojë SPAK-u nuk shuhet kollaj. Ajo rikthehet herë pas here me të njëjtën kënaqësi sikur rishihet një film i bukur, që të kënaq me personazhet, batutat, por sidomos me fundin e lumtur./Lapsi.al