Flash

BE nxjerr bllof Ramën për protestat/ As Rusia, as Irani, por korrupsioni dhe keqqeverisja

Lapsi.al 4 November 2026

BE nxjerr bllof Ramën për protestat/ As Rusia, as Irani, por

Komisioni Europian rrëzoi interpretimin e Edi Ramës për protestat nme flamingove në qershor dhe ato të studentëve që kulmuan në tetor, duke identifikuar si shkaqe të tyre mungesën e transparencës, korrupsionin, problemet mjedisore dhe pakënaqësinë ndaj qeverisjes, pikërisht ato shqetësime qytetare që kryeministri është përpjekur t’i paraqesë si pjesë të një komploti të organizuar nga forca të errëta, armiq të brendshëm dhe interesa të huaja, ruse apo iraniane.

Në progresraportin për Shqipërinë, të publikuar më 4 nëntor, Komisioni Europian i përshkroi protestat që kanë përfshirë vendin që prej majit si një mobilizim qytetar të paprecedentë në dekadat e fundit, duke i lidhur drejtpërdrejt me problemet e qeverisjes.

“Ky është mobilizimi më i madh qytetar në Shqipëri që nga tranzicioni demokratik i vendit, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës që iu bashkuan protestës në kulmin e saj”, thuhet në raport.

Brukseli identifikoi edhe shkakun fillestar të protestave, që më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.

“Protestat u nxitën nga shqetësimet mjedisore lidhur me punimet e ndërtimit në peizazhin e mbrojtur të Pishë Poro – Nartës dhe u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkon transparencë, llogaridhënie, përpjekje kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë”, shkruhet në dokument.

Në pjesën e posaçme për funksionimin e demokracisë, Komisioni e shtjelloi më tej këtë vlerësim, duke evidentuar se protestuesit kërkuan transparencë në dhënien e lejeve për projektet e mëdha të ndërtimit, përfshirjen e komuniteteve vendase në vendimmarrje dhe përgjigje për problemet ekonomike e sociale.

“Protestat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë dhe partisë kryesore të opozitës”, thuhet në raport, ku përmenden gjithashtu kostoja e jetesës dhe mungesa e investimeve në arsim e shëndetësi.

Pra, për Komisionin Europian, protestat nuk ishin produkt i një organizate të fshehtë, por shprehje e pakënaqësive konkrete të qytetarëve ndaj mënyrës se si qeveriset vendi. Madje, Brukseli evidentoi faktin se ajo drejtohej edhe kundër forcës kryesore të opozitës.

Dallimi është thelbësor me interpretimin politik që bën Edi Rama që i shpjegon ato përmes ndërhyrjeve të jashtme dhe armiqve të brendshëm,

Edhe në kapitullin për mjedisin, raporti e lidh drejtpërdrejt shpërthimin e revoltës me politikat shtetërore.

“Mangësitë në qeverisjen mjedisore dhe në zbatimin e ligjit lidhur me mbrojtjen e natyrës, përfshirë ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatjen e afatit të ligjit për investimet strategjike, kanë çuar në përkeqësim të mbrojtjes së natyrës dhe kanë kontribuar në protestat që nisën në maj 2026”, konstaton Komisioni.

Por si i përshkruante Edi Rama protestat, nga më masivet që janë zhvilluar ndonjë herë në Tiranë kundër një kryeministri?

Më 23 qershor, në një intervistë për televizionin francez France 24, kryeministri i lidhi protestat me ndërhyrjet e Iranit dhe me interesat e konkurrentëve rajonalë të Shqipërisë.

“Ka shumë ndërhyrje, qoftë ndërhyrje nga Irani, me të cilin kemi qenë në një luftë kibernetike për 3 vjet, ose ndërhyrje nga konkurrentët në të gjithë rajonin që nuk e duan këtë zhvillim në Shqipëri”, deklaroi Rama.

Ai pranoi se kishte edhe shqetësime të tjera të një pjese të popullsisë, por këmbënguli se qeveria ishte zgjedhur për të realizuar projektet që kishte premtuar.

Në një tjetër intervistë për POLITICO më 9 qershor, Rama e lidhi kundërshtimin ndaj investimit të Jared Kushner me një fushatë dezinformimi dhe antisemitizmi, për të cilën akuzoi Iranin.

“Ai (Irani) është pjesë e kësaj, sepse nuk është askush tjetër i interesuar të nxisë narrativin e antisemitizmit”, u shpreh Rama, duke iu referuar pretendimeve për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza në Shqipëri.

Kështu, ndërsa protestuesit kërkonin transparencë për lejet e ndërtimit dhe mbrojtjen e një zone natyrore, kryeministri e zhvendoste debatin te konfliktet gjeopolitike, ndërhyrjet iraniane dhe antisemitizmi. 

Me përshkallëzimin e protestave studentore në tetor, lista e armiqve të identifikuar nga Rama u zgjerua. Në një dalje publike më 18 tetor, kryeministri e lidhi protestën me lëvizjen Antifa dhe me ndikimin ideologjik rus. Duke iu referuar ideologut rus Aleksandër Dugin, Rama deklaroi: “Kjo është një dorë e huaj”.

Më 23 tetor shkoi edhe më tej, duke akuzuar krimin e organizuar dhe forca të huaja për financimin e dhunës gjatë protestave.

“Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ANTIFA, rrjeti i terrorit urban që në emër të neo-komunizmit ka vendosur të futet në jetët e njerëzve përmes dhunës, janë në duart e policisë”, deklaroi ai.

Në raportin e Komisionit Europian nuk gjendet asnjë prej këtyre shpjegimeve konspirative si shkak i mobilizimit qytetar. Aty përmenden problemet mjedisore, korrupsioni, mungesa e transparencës, kostoja e jetesës dhe investimet e pamjaftueshme.

Për Brukseli situata është e thjeshtë. Nuk ka nevojë për armiq të jashtëm për të kuptuar pse qytetarët dolën në rrugë. Në logjikën e demokracive liberale, protesta është një instrument legjitim i pjesëmarrjes politike dhe një sinjal që qeveria duhet ta lexojë seriozisht.

Në logjikën e një mendjeje autoritare si ajo e Ramës, protesta shihet si kërcënim ndaj pushtetit personal. Pakënaqësia qytetare, si cënim i sigurisë kombëtare. Ndërsa protestuesit si instrumente të forcave të errta, si armiq të vendit, që synojnë rrëzimin e pushtetit./ Lapsi.al

Të këshilluara

"100 vjet burg"/ Detaji në mesazhin e Ramës që transformoi Erion Veliajn

Rebelimi i Erion Veliajt ndaj Edi Ramës nuk erdhi nga humbja e Bashkisë së Tiranës, por nga bindja se pas burgosjes dhe poshtërimit të tij qëndronte vetë kryeministri, një e vërtetë që ia shkatërroi shpresën e fundit, por njëkohësisht e çliroi nga frika dhe nënshtrimi ndaj njeriut që dikur e quante “vëllai i madh”.

14:17

"Rama në burg, Berisha në burg"/ Sherr brenda opozitës për thirrjet e protestës

Rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve lokale, protestat kundër qeverisë kanë nxjerrë në sipërfaqe përçarjen e opozitës, duke ndezur një përplasje të ashpër mes Sali Berishës dhe Arlind Qorit për përfaqësimin e pakënaqësisë qytetare, ndërsa Edi Rama përfiton politikisht nga lufta mes kundërshtarëve të tij.

14:10

Fotoja në dosjen e SPAK/ Kutia e mbushur me euro në vilën e Ballukut

Në dosjen e SPAK për vilën luksoze që Belinda Balluku dyshohet se zotëronte në Dhërmi, mes qindra komunikimeve që sipas prokurorëve provojnë pronësinë e saj faktike, është zbuluar edhe fotografia e një kutie të mbushur me tufa kartëmonedhash 50 euroshe, që dyshohet se ndodhej brenda vilës.

11:05

ide

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

91.00

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI