Flash

Një platformë politike për Revolucionin e Flamingove: Për një Shqipëri të Re të demokratizuar!

Tetë pika që mund të shërbejnë për shembjen e sistemit klientelist ekzistues

Blendi Kajsiu 31 October 2026

Për të kuptuar misionin dhe potencialin historik të Revolucionit të Flamingove duhet të kuptojmë së pari emëruesin e përbashkët të shkaqeve të shumta të tij, krizën e përfaqësimit. Nivelet e larta të korrupsionit, arroganca e pushtetit dhe shtetit me qytetarët, mungesa e demokracisë brenda dhe jashtë partive, modeli zhvillimor përjashtues, kapja e shtetit dhe ekonomisë nga një grusht oligarkësh, patologjitë e sitemit arsimor dhe shëndetësor, të gjitha burojnë nga kjo krizë. 

Sistemi ynë politik tashmë nuk e përfaqëson por e sundon qytetarin. Sot qytetarët shqiptar përballen me një sistem politik dhe një pushtet që nuk i dëgjon por i nënshtron, i injoron ose i transformon në klient politik që kanë detyrime dhe jo të drejta përballë pushtetit, të cilin duhet ta votojnë në shkëmbim të favoreve personale që ai u jep. 

Institucionet tona politike, qoftë pushteti qendror apo vendor, qoftë presidenca,  parlamenti, apo partitë politike nuk shërbejnë më si kanale komunikimi me qytetarët, por si instrumente për pengmarrjen e shoqërisë nga klasa politike dhe pushteti. Shkurt, kemi ndërtuar tashmë një sistem politik që e  zhvesh qytetarin nga dinjiteti njerëzor duke e transformuar në klient politik që përfiton favore në shkëmbim të të drejtave dhe dinjitetit. 

Mekanizmi që e ka prodhur dhe e mban gjallë krizën e përfaqësimit është personalizimi dhe privatizimi i pushtetit publik. Arsyeja se përse sistemi ynë politik sot, partitë, parlamenti, qeveria, apo pushteti vendor, nuk përfaqësojnë më shoqërinë është sepse ata përfaqësojnë vullnetin e kryetarit dhe jo të qytetarit. 

Është kontradikta e thellë mes interesave të kryetarit dhe shqetësimeve të shoqërisë që shpjegon shurdhërinë e pushtetit ndaj protestës sociale dhe paaftësinë e opozitës politike që ta përfaqësojë atë. 

Kryeministri Rama është i paaftë të dëgjojë dhe përmbushë kërkesat e protestës sepse ato kërkojnë vendosjen e standarteve demokratike që cënojnë pushtetin e tij. Standarti minimal demokratik që një kryeministër duhet të dorëhiqet kur qeverisja e tij në të gjitha nivelet më të larta është e zhytur tërësisht në skandale të thella korruptive kufizon dhe depersonalizon pushtetin e zotit Rama, ndaj nuk mund të përmbushet.

Po ashtu paaftësia e opozitës berishiste për të denoncuar dhurimin e ishullit tonë të vetëm Sazan apo masakrën urbanistike që po planifikohej në Zvërnec nga familja Trump, ishte tërësisht produkt i halleve të kryetarit dhe familjes Berisha për të hequr non-gratën. Ndaj ishin gati që të sakrifikonin Saznin dhe Zvërnecin për ti bërë qejfin Trumpit.  

Në këtë kontekst sfida dhe misioni historik i Frontit të Flamingove është ri-demokratizimi dhe ri-themelimi i politikës shqiptare. Është një mision në pamje të parë paradoksal për një lëvizje që është thellësisht anti-politike.  Ama refuzimi i klasës së vjetër politike nga flamingot nuk nënkupton, dhe nuk duhet të nënkuptojë, refuzimin e politikës si proces përfaqësimi, përballjesh mes idesh, interesash dhe ideologjish. 

Ajo që Revolucioni i Flamingove refuzon, dhe duhet të refuzojë, është personalizimi dhe privatizimi i politikës që nënkupton vdekjen e saj si një aktivitet publik. Sot në Shqipëri kemi klientelizëm por jo politikë. Kemi një administratë dhe ekonomi që buron nga klientelizmi politik por jo nga ndonjë program politik, qoftë ky i majtë, i djathë apo i qendrës. 

Programi real politik i partive tradicionale sot përmblidhet tek interesat e kryetarit. Pikërisht për këtë arësye debatet tona politke janë krejt të personalizuara ndërkohë që politikanët tanë tradicional janë kamaleonë politik dhe ideologjik në funksion të interesit dhe ambicies së tyre personale.  

Rama dje thoshte se Donald Trump është turpi më i madh i qytetërimit perëndimor. Sot që Trump ka ardhur në pushtet dhe ka dhunuar të gjitha normat e demokracisë Amerikane dhe po i vë flakën botës, Rama është bërë trampist i flaktë dhe denoncon fantazma politike si Antifa me gjuhën e Trump-it. 

Ashtu sikurse Berisha “nacionalist”, nga njëra anë denoncon anti-shqiptarizmin, albanofobinë dhe oligarkët e Ramës, dhe nga ana tjetër futet në shtrat me Belerin dhe politikën pro-serbe të Trump në Ballkan dhe mbështet projekte si Greencoast, Sazani dhe Zvërneci ku ndërtojnë oligarkët e Ramës nga Zamiri te Kastrati. Zero koherencë politike sepse gjithçka është në funksion të hallit të kryetarit. 

Ndaj në këtë aspekt misioni i Frontit të Flamingove duhet të jetë rithemelimi i politikës shqiptare si proces përfaqësimi dhe trajtimi i interesave, shqetësimeve dhe kontradikatve të shoqërisë dhe jo të kryetarit. Kjo mund të arrihet me një organizim dhe program politik që synon demokratizmin e politikës, ekonomisë dhe shtetit shqiptar në përgjithësi.

Pikërisht për këtë arësye organizimi i protestës sociale duhet të mësojë nga, por jo të kopjojë, strukturat tradicionale partiake me kryetar në krye. Fatkeqësisht të gjitha këto struktura, qoftë PD-ja dhe PS-ja në Shqipëri, dhe mesa duket shumë trishtimisht edhe Vetvendosja në Kosovë, prodhojnë lider të përjetëshëm dhe të pazëvendësueshëm që e personalizojnë dhe privatizojnë organizatën politike, çka eventualisht zëvendëson përfaqësimin e shoqërisë me përfaqësimin e kryetarit. 

Për të eleminuar këtë tendencë Fronti i Flamingove duhet të organizohet me kryesi por pa kryetar. Vetë kryesia dhe forumet drejtuese nga ana tjetër duhet të jenë rotative që mos të kapen apo kalcifikohen. Natyrisht që ky mekanizëm të funksionojë është i rëndësishëm krijimi i forumeve presenciale apo virtuale të hapura dhe me pjesmarrje të gjerë që furnizojnë me personel dhe ide por edhe mbikëqyrin institucione si kryesia. Bëhet fjalë për krijimin e një strukture që arrin të balancojë dy tendenca kontradiktore; efikasitetin organizativ, që çon dejt përqendrimit të pushtetit, dhe demokracinë, që nënkupton decentralizimin e tij. 

Për konsolidimin e një strukture të tillë duhet një program i qartë politik që syon ri-demokratizimin e vendit, që nga politika dhe shteti deri tek ekonomia dhe shoqëria. Natyrisht që një program i tillë duhet të përcaktohet dhe aprovohet nga vetë Fronti i Flamingove, ndaj ajo që sugjeroj më poshtë janë disa parime, politika dhe ide që synojnë fillimin dhe jo fundin e debatit mbi parimet dhe programin politik të Revolucionit të Flamingove. 

Për mendimin tim thelbi i programit politik të flamingove duhej të ishte demokratizimi i Shqipërisë, jo vetëm i sistemit politik, por edhe i shtetit, ekonomisë dhe për pasojë i kulturës sonë politike. Me demokratizim nënkuptoj ngritjen  e një sistemi politik dhe ekonomik që përfaqëson dhe i përgjigjet shqetësimeve dhe interesave të shoqërisë dhe jo të kryetarit apo të një grupi oligarkësh rreth tij që e kanë kapur politik-bërjen, shtetin dhe ekonominë tonë.  


 Demokratizimi i sistemit politik: Për një sistem politik që përfaqëson qytetarin dhe jo kryetarin: 
Demokratizimi i partive politike arrihet duke nxjerrë proceset zgjedhore jashtë partive politike. Proceset zgjedhore brenda partive nuk mund dhe nuk duhet të administrohen nga kryetarët apo zarët e tyre, por nga institucione zgjedhore shtetërore si KQZ-ja. Renditja e kandidatëve për deputet, për shembull, nuk duhet bërë nga kryetari por me një proces të hapur zgjedhor për të gjithë qytetarët, jo vetëm për antarët e partisë, që menaxhohet nga KQZ-ja. Ky proces, që funksionon në vende si Kolumbia ku quhet Konsulta Partiake, bëhet në të njëjtën ditë për të gjitha partitë që duan të marrin pjesë në zgjedhje dhe i lejon qytetarët të votojnë për kandidatët e vetëm një partie apo grupimi politik. Është kjo votë që përcakton renditjen e kandidatëve në listë në zgjedhje, dhe jo vullneti i kryetarit.  Është një sistem i ngjashëm me primaret në SHBA por që administrohet nga shteti dhe jo nga partitë.
Reformimi i sistemit zgjedhor dhe i kodit elektoral arrihet duke eleminuar diskriminimin e partive të vogla që përballen me një prag më të lartë elektoral për tu futur në parlament se partitë e mëdha. Një opcion do ishte një listë kombëtare e mbyllur, ku renditja e kandidatëve përcaktohet me votë nga konsulta e hapur partiake dhe jo nga kryetarët e partive. Konsulta e hapur partiake eleminon nevojën e hapjes së listës. 
Hapja e listës së mbyllur për zgjedhjen e antarëve të këshillit bashkiak në mënyrë që këshilli bashkiak të përfaqësojë qytetarët dhe jo kryetarët dhe partitë e tyre. 
Administrimi i procesit zgjedhor jo nga partitë por nga shteti dhe shoqëria. Antarët e komisioneve zgjedhore mund të zgjidhen me short mes qytetarëve. Çdo qytetar që i takon kjo detyrë kalon nëpër një proces të shkurtër trajnimi paraprak dhe më pas bëhet pjesë e komisionit zgjedhor ku është përcaktuar me short. 

Demokratizimi i shtetit dhe pushtetit

Rikthimi i te Kushtetuta e 2008 për zgjedhjen e presidentit, ose kalimi tek zgjedhja e presidentit me votën qytetare, në mënyrë që të forcohet institucioni i presidencës si balancë ndaj pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Sot nuk kemi president, thjesht kemi një Bajram.
Decentralizimi i pushtetit vendor sipas parimit të subsidiaritetit (qeverisja sa më afër qytetarit). Qeverisja Rama gradualisht ia ka marrë të gjitha kompetencat pushtetit vendor duke e larguar qeverisjen nga qytetari. Shërbime si arësimi, shëndetësia, uji dhe energjia duhet të menaxhohen nga pushteti vendor, ashtu sikurse edhe vendimet për planifikimin urban. 
Një administratë publike meritokratike dhe jo klienteliste. Futja dhe promovimi në administratën publike duhet bërë me provime dhe jo me rekomandime dhe klientelizëm siç ndodh sot.

Demokratizimi i ekonomisë: Një model zhvillimi përfshirës dhe jo përjashtues

Nga turizimi elitar që favorizon oligarkët tek turizimi komunitar që favorizon komunitetet lokale dhe qytetarët e thjeshtë. Bregdeti dhe asetet natyrore që në shekuj i kanë përkitur komuniteteve lokale, si plazhe, kullota apo toka nuk mund tu jepen “investitorëve strategjik” duke injoruar të drejtat, pronësinë dhe interesat e komunitetit lokal. Prioritet në zhvillimin e turizmit tonë duhet të jetë modeli autentik, përfshirës dhe i qëndrueshëm i Thethit dhe jo modeli përjashtues dhe pastrues parash i Dubait.
Diversifikimi i ekonomisë përtej turizmit dhe sektorit të ndërtimit tek bujqësia dhe stimulimi i agroindustrisë për të garantuar edhe pavarësinë ushqimore. Bujqësia, blegtoria dhe agro-industria shqiptare duhet të jetë e aftë të ushqejë Shqipërinë dhe turistët e saj.  
Politika sociale dhe ekonomike për fshatin. Zvërneci na tregoi se sot kërkohen më pak letra për të filluar ndërtimin e një rezorti turistik elitar në zona të mbrojtura në bregdet se një shtëpi në fshat në tokën tënde. Stimulimi i bujqësisë dhe ekonomisë agro nënkupton edhe politika që lehtësojnë strehimin dhe jetesën në fshat.  

De-monopolizimi dhe de-oligarkizimi i ekonomisë nëpërmjet konkurrencës në treg.

Sot grupe të fuqishme ekonomike, siç është Grupi Kastrati, jo vetëm kontrollojnë tregun e karburanteve, por edhe politikbërjen në fushat ku ata kanë interes siç janë hidrokarburet. Tentakulat e grupeve të tilla shtrihen në të gjithë administratën shtetërore. Përballja me to nënkupton de-monopolizimin e ekonomisë nëpërmjet konkurrencës në treg dhe çlirimit të shtetit dhe administratës publike nga kapja prej tyre.

Pavarësia energjitike dhe shtetëzimi i aseteve strategjike. Një tjetër mënyrë për të de-oligarkizuar ekonominë është nëpërmjet shtetëzimit dhe fuqizimit të industrive shtetërore dhe aseteve strategjike sic janë nafta dhe industria e naftës apo portet. Nafta është një pasuri strategjike kombëtare që duhet të mbetet pasuri publike dhe jo të privatizohet në mënyrë që Shqipëria të garantojë pavarësinë energjitike në një treg global gjithnjë e më të paqëndrueshëm. Mungesa e një kompanie efikase shtetërore të naftës dhe e një industrie të përpunimit të naftës në vend është edhe produkt i interesave të grupeve ekonomike pranë qeverisë që kontrollojnë importin e naftës nga jashtë. 
Investimi i buxhetit të shtetit me konkurrencë të nderëshme. Skandali Balluku tregoi se buxheti i shtetit tonë nuk investohet me konkurrencë por me gisht. Politikat e investitorit strategjik dhe të koncesioneve në qeverinë Rama e kanë eleminuar gjithnjë e më tepër garën në përfitimin e aseteve dhe fondeve nga buxheti shtetëror. Mungesae konkurrencës së lirë dhe të nderëshme në shpërndarjen e buxhetit shtetëror prodhon jo vetëm korrupsion por edhe një sistem ekonomik më pak produktiv dhe konkurrues. 

Demokratizimi i mediave. Për media që pasqyrijnë shqetësimet e qytetarit dhe jo të pronarit

Ndarja e pronësisë mediatike nga pronësia të tjera biznesi. Thelbi i deformimit mediatik qëndron tek fakti se media jonë është transformuar në shtojcë të bizneseve të tjera, në shërbim të interesave të bizneseve të pronarit. Ndaj ndalimi me ligj i dy pronësisë mes medias dhe biznesve të tjera, si ai i ndërtimit, mund të ishte një hap i parë për të ndërtuar një media që orientohet nga hallet e shoqërisë dhe jo ato të pronarit.
Pavarësia editoriale. Dikur ekzistonin borde editoriale dhe mekanizma që synonin ndarjen e pronësisë nga redaksia. Sot mekanizma të tillë nuk ekzistojnë më dhe politika editoriale dhe pronarët e mediave janë njehsuar tërësisht. 

Demokratizimi i sistemit të drejtësisë: Një sistem për qytetarët dhe pranë qytetarëve

Financim dhe infrastrukturë për sistemin e drejtësisë. Sot sistemi i drejtësisë shqiptare ka mbingarkesë dhe nuk ka as infrastrukturën minimale për të zhvilluar procese gjyqësore dinjitoze dhe në kohë.
Drejtësia pranë qytetarit. Heqja e gjykatave të apelit nga rrethet dhe përqëndrimi i tyre në Tiranë e ka larguar edhe më shumë drejtësinë nga qytetarët. Ndaj duhet menduar një riorganizim i pushtetit qendror që e afron në të gjitha shkallët e tij me qytetarët.
Mbrojtje dhe mbështetje për SPAK-un si një nga institucionet më të suksesshme në historinë e vendit në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. 

Arsimi dhe shëndetësia: në shërbim të qytetarit dhe jo të korrupsionit

Sistemi ynë arsimor është në gjendje mjerane, edhe si pasojë e keq-financimit. Shoqëria sot ka një nga nivelet më të ulëta në rajon të investimit për kokë në arësim. Politikat qeveritare të një sistemi arësimor të lartë që mbahet me fondet e veta nuk ka prodhuar as cilësi dhe as produktivitet por shitje diplomash. 
Stimulim i kërkimit shkencor nëpërmjet fondeve publike dhe politikave që stimulojnë konkurrencën dhe meritokracinë në hapësirën akademike.
Çmimet e ilaçeve në Shqipëri janë shumë më ta larta se në shumicën e vendeve Evropiane ndërkohë që cilësia është shumë më e ulët. Është i rëndësishëm de-monopolizmi i tregut të ilaçeve dhe stimulimi i një industrie farmaceutike vendase që mund ti përgjigjet nevojave të vendit. 

Politika e jashtme: Integrimi me Evropën por edhe me Kosovën

Integrimi Evropian mbetet prioritet i Shqipërisë në politkën e jashtme por si një proces demokratizues jo vetëm teknik
Politika e jashtme shqiptare në raport me vendet e rajonit si Serbia kalon nga Prishtina. Asnjë bashkëpunim me Serbinë nuk mund të ndërmerret pa u konsultuar me Prishtinën.
Integrimi i ekonomive të Shqipërisë dhe Kosovës duhet të jetë po aq prioritar sa integrimi evropian. Projekte infrastrukturore si hekurrudha Durrës-Tiranë-Shkodër-Gjakovë-Prishtinë apo integrimi i sistemit të pensioneve janë shembuj të politikave që duhet të jenë prioritare. 

Demokratizimi i kulturës politike: Nga klientela me favore tek qytetaria me të drejta dhe dinjitet

Demokratizimi i sistemit politik dhe ekonomik do prodhojë edhe demokratizimin e kulturës politike pasi qytetari do ta shikojë veten jo si klient i një rrjeti favoresh por si subjekt politik me të drejta.
Diçka e tillë mund ta zëvendësojë adhurimin aktual të liderit si shefi i klientelës të cilës i përket qytetari i nënshtruar me adhurimin e demokracisë, lirisë së shprehjes dhe dinjitetit njerëzor duke e transformuar kulturën tonë politike.  

Sa më sipër janë thjesht disa pika dhe parime që synojnë nxitjen e një debati dhe diskutimi në gjirin e protestës sociale mbi domosdoshmërinë e transformimit të sistemit tonë politik. Qëllimi i tyre është ndërtimi i një kuadri që mund të përfshijë të gjithë forcat anti-sistem që nuk janë të kënaqur me statu quo-në, që nga të majtët deri tek neoliberalët, konservatorët dhe nacionalistët. 

Në këtë mënyrë rreth kërkesave të mësipërme, apo të tjerave që mund të shtohen apo eleminohen, mund të krijohet një front i gjerë që si qëllim ka përbashkimin e të gjithë faktorëve social anti-sistem për demokratizimin e politikës shqiptare. Që të jetë i sukseshëm ky front duhet të jetë sa më i gjerë dhe gjithpërfshirës, të paktën deri në rrëzimin e sistemit politik aktual që e ka reduktuar qeverisjen, demokracinë, përfaqësimin dhe politikën tek interesat e ngushta të liderit dhe të oligarkëve rreth tij. 

Shkruar enkas për Lapsi.al nga Blendi Kajsiu

Të këshilluara

Jo dhunës, po organizimit!

Ajo që i duhet protestës sociale sot, më shumë se dhuna, është organizmi i një fronti të gjerë anti-sistem që bën bashkë përfaqësues të grupimeve të ndryshme sociale që emërues të përbashkët kanë pakënaqësinë me funksionimin e regjimit aktual politik dhe ekonomik. Ky front, që mund të quhet Fronti Flamingove, duhet të ketë përfaqësues nga studentët, pedagogët, ambientalistët, shoqëria civile, partitë e reja politike siç është Lëvizja Bashkë, punëtorët, fermerët dhe përfaqësues të komuniteteve të cilave po u grabiten tokat nëpërmjet modeleve të turizmit elitar

15:10 Blendi Kajsiu

Shembja e Vuçiçit, manual përdorimi për ne në Tiranë

Serbia përbën shembullin tipik për të treguar se këto lloj pushtetesh nuk mund të mposhten me rrugë normale, se metoda për tu ndeshur me të nuk është rendja pas zgjedhjeve, si demi pas cohës së kuqe, por gryerja, dobësimi, delegjitimimi dhe legenosja e tyre, përmes metodash që në pjesën më të madhe konsiderohen si të paligjshme ose të dhunshme nga kasta në fuqi

11:11 Andi Bushati

Revolta si shpresa e fundit

Revolta studentore dhe e të rinjëve përgjatë javës së fundit në Shqipëri, përveç që shpërfaqi dhu...

11:19 Agon Hamza

Krimi i organizuar financon kullat e kryeministrit jo protestën ndaj tyre

Krimi i organizuar është tejet i lumtur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Ndaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës, dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura tek projektet e rezorteve elitare të Ramës

10:14 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

Dhunë? Po, të lutem! Por, kundër kujt?

Dëmi që i është bërë Shqipërisë përgjatë qeverisjes së regjimit të Ramës, është radikalisht i pakrahasueshëm me dëmin minimal të shkaktuar përgjatë këtyre ditëve."

20:08 Agon Hamza

ide

MOTI TIRANA

14°c

KËMBIMI EURO

90.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI