
Në emisionin “Në Shënjestër” të gazetares Klodiana Lala në News24, u trajtua rrëmbimi i biznesmenit Gerond Meçe, administrator i kompanisë “Advanced Business Solutions ABS”, i cili pretendon se u mor peng më 12 gusht 2025 nga persona të maskuar si efektivë të Policisë dhe të BKH-së.
Sipas dëshmisë së tij, ai u dërgua drejt zonës së Krrabës, u kërcënua dhe u detyrua të tërhiqej nga procedurat e tenderimit dhe ankimimet ndaj AKSHI-t.
Dokumentari sjell rrëfimin e Meçes për mënyrën e rrëmbimit, presionin për të dhënë fjalëkalimin e telefonit, komunikimet me administratorin e kompanisë dhe kërcënimet me jetë. Në material paraqiten gjithashtu dyshimet e tij për përfshirjen e biznesmenit Ermal Beqiri, të cilat mbeten pjesë e deklarimeve të tij në dokumentar.
Pjesë nga dokumentari:
Gerond Meçe i cili do të akuzonte pikërisht biznesmenin tjetër Ermal Beqiri, që edhe ky shfaqet në ambientet e biznesit të Agasit në prani të tij dhe të drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, se ishte pikërisht ai që kishte dorë në rrëmbimin dhe mbajtjen e tij peng.
Kjo me qëllim heqjen dorë nga ankimimet që Meçe kishte bërë kundrejt AKSHI-t, për skualifikimet që kjo agjenci i kishte bërë kohë pas kohe kompanisë së tij nga gara.
Ashtu siç kishte ndodhur kur më datë 12 Gusht 2025, Meçe u mor dhe u mbajt peng për disa orë jashtë Tiranës.
Gerond Meçe:
Unë quhem Gerond Meçe dhe profesioni im është inxhinier elektronik. Aktualisht punoj në një biznes privat.
Nga viti 2006 e në vazhdim unë jam ortak i vetëm dhe administrator i kompanisë që quhet ‘Advanced Business Solutions ABS’.
Nga viti 2016, me pak përjashtime, ne jemi pjesëmarrës në pothuajse çdo tender në fushën e teknologjisë dhe informacionit që zhvillohet nga AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit).
Ajo që dua të them është se nga janari i vitit 2025 deri në korrik të këtij viti, kompania ‘ABS’ ka ankimuar gati 20 procedura prokurimi në të cilat ka marrë pjesë, kryesisht në AKSHI por edhe në institucione të tjera si KLGJ, UKT etj.
Më datë 12 gusht 2025 unë kam qenë në shtëpi deri rreth orës 10:30 paradite.
Kur kam dalë nga pallati ku banoj, në ecje e sipër duke u afruar te makina ime, unë hapa në distancë bagazhin ku vendosa aty çantën e shpinës dhe atë të dorës.
Në këtë moment pranë meje u afrua një automjet fuoristradë ‘Range Defender’, ngjyrë e zezë, me fenelina policie, me targa shqiptare, ku më vonë kam parë që targat e këtij automjeti janë AC121 JJ.
Ku një nga personat në makinë që mbante veshur një jelek të verdhë me mbishkrimin BKH, pasi më thirri në emër më tha: ‘Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne, hyr në makinë’.
Pasi u futa në makinë shoferi i cili ishte me maskë, i tha njërit prej personave që të merrte dy çantat e mia në bagazhin e makinës sime.
Pasi u thashë: ‘Çuna, e mora vesh se çfarë jeni’, një nga personat në makinë nisi të më shtrëngojë prangat pasi unë refuzova t’i jepja password-in.
Pasi makina mori drejtimin për nga Elbasani, itinerari vazhdoi për në rrugën e vjetër, në fshatin Krrabë.
Kur ndaluam, ata më kërkuan t’u jepja sërish password-in e telefonit. Gjë të cilën refuzova t’ua jap, por në këtë moment shoferi erdhi dhe më goditi me shpullë.
Gjatë kësaj kohe ata morën telefonin dhe e vendosin te gishti im pasi duart i kisha të lidhura mbrapa.
Gerond Meçe i cili rrëfeu më tej se si ai u mbajt peng për afro 5 orë.
Ndërkohë që personat që e kishin marrë peng komunikonin herëpashere nga telefoni i tij me administratorin e kompanisë së tij, me qëllim që ai të tërhiqte kompaninë nga procedurat e tenderimit.
Gerond Meçe
Në momentin e parë i thashë ‘Jo’, por perceptova që dikush e ka organizuar këtë ngjarje për shkak të ankimimeve të mia.
Që ishin shtatë deri në nëntë procedura.
Ndërkohë që personi i parë më thotë: ‘Janë tendera që ke ankimuar ti dhe duhet të tërhiqesh.’
U thashë: ‘Çuna, muk bëhet kështu kjo punë’.
Ndërkohë që unë u përpoqa t’u mbush mendjen që tërheqja nuk bëhet në këtë moment duke u treguar se nuk jam më administrator, gjë të cilën ata më thanë që e dinin.
Por u thashë që nëse do të më lironin do e bëja në ditët në vijim.
Ndërsa m’u duk se situata po shkonte në favorin tim, personi i parë, ai që më herët mbante bluzën e BKH-së, më tha që të tërhiqesha edhe nga gjyqi në Gjykatën Administrative.
Por gjatë kohës që personi i parë po fliste me mua, unë pashë që shoferi, por dyshoj se edhe një person i pestë që mund të ketë ardhur aty pranë me një makinë tjetër besoj ‘Volvo’, ka nisur të flasë nga telefoni im me administratorin e kompanisë time Sh. K, duke i thënë: ‘Po ti na the që nuk bëhet, ndërkohë administratori thotë bëhet’.
Gjithashtu në këtë moment ata pyetën edhe personin e parë se: ‘Çfarë po presim?’
Teksa ai u tha që: ‘S’kemi konfirmim’.
Ndërkohë që ora përballë në makinë shënonte në këtë moment 15:10.
Gjatë kthimit, grupi i rrëmbyesve përdori sirenën e policisë për të hapur rrugën.
Në momentin që po më linin, shoferi më tha se: ‘Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundërt do të vrasim ty, gruan, motrën, nënën, se babë nuk ke ti’.
Por edhe pse i premtuan që do i kthenin laptopin dhe sendet e tjera personale që ata ia mbajtën, kjo gjë nuk duket se ndodhi.
Ndërkohë që biznesmeni u la në mes të rrugës pa telefon dhe pa para në xhep.
Ku vetëm rastësia, bëri që ai të kthehej në banesë.
Dhe të fillonte të mendonte të gjithë atë që kishte ndodhur.
Si dhe kush mund të ishin personat që kishin urdhëruar dhe organizuar rrëmbimin dhe kërcënimin e tij.
I pyetur mbi dyshimet që ai kishte lidhur mbi personat e mundshëm që mund të kishin gisht në rrëmbimin dhe më pas atë që ndodhi, qëllimin për tërheqjen nga tenderat në AKSHI, apo edhe ankimimet, biznesmeni Gerond Meçe, u ndal te një emër që sipas tij mund të ishte strumbullari i gjithë këtij skenari.
Ky emër ishte biznesmeni Ermal Beqiri i cili sipas tij kishte lidhje të forta brenda AKSHI-t.
Por ishte edhe mik i Ergys Agasit, ku siç do të shikohet në vazhdim, ata shikohen shpesh në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Kjo bazuar edhe në filmimet që vetë Agasi ka ruajtur. /Marrë nga BalkanWeb