
Autoritetet franceze pezulluan sot importin dhe shitjen e prezervativëve ultra të hollë prej lateksi për meshkuj të prodhuar nga kompania malajziane “Richter Rubber Technology” për shkak të defekteve të prodhimit.
Vendimi shoqërohet me tërheqjen nga tregu të "15 kodeve të produkteve" për shkak të defekteve "që mund të shkaktojnë krisjen ose shpimin e prezervativëve ", sipas një deklarate nga Ministria e Ekonomisë.
Këto produkte me defekt “përfaqësojnë rreth 7 milionë prezervativë në Bashkimin Evropian, nga të cilët vetëm një pjesë shitet në Francë”, thanë autoritetet.
Ata rekomandojnë që përdoruesit e këtyre “prezervativëve që nuk i plotësojnë kriteret” të vizitojnë një laborator ekzaminimi mjekësor për t'u kontrolluar për sëmundje seksualisht të transmetueshme dhe të bëjnë një test shtatzënie në rast vonese të menstruacioneve. Pezullimi është i vlefshëm për një vit dhe do të rinovohet nëse është e nevojshme, theksoi njoftimi.
Në gusht, autoritetet franceze - përgjegjëse për luftimin e mashtrimit dhe shëndetin publik – nisën të tërhiqnin rreth 260,000 prezervativë për të njëjtat arsye.
Hetimi nga Autoriteti i Përgjithshëm Francez për Konkurrencën, Çështjet e Konsumatorit dhe Luftën kundër Mashtrimit (DGCCRF) çoi në vendimin për këto produkte nga kompania malajziane.
Hetimi arriti në përfundimin se "procesi i prodhimit të përdorur për gamën e prezervativëve ultra të hollë ka të ngjarë të shkaktojë ndryshime në trashësinë dhe cilësinë e membranës së lateksit, duke rezultuar në defekte që rrezikojnë shëndetin e përdoruesve", sipas deklaratës.
"Disa përdorues kanë raportuar çarje të prezervativëve dhe shtatzëni të padëshiruara që lidhen me seritë e tërhequra", - thuhet në deklaratë. ©LAPSI.al