
Paketa e re fiskale, e prezantuar nga qeveria si një politikë për lehtësimin e taksave dhe uljen e kostos së jetesës, po rezulton një manovër që me njërën dorë u jep qytetarëve dhe bizneseve, ndërsa me tjetrën ua merr përsëri, përmes taksave të reja dhe rritjes së detyrimeve ekzistuese.
Në qendër të kësaj manovre është heqja e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër nga karburantet, një masë që teorikisht duhet të ulë çmimin e naftës dhe benzinës me 32,4 lekë për litër, përfshirë TVSH-në. Por lehtësimi shoqërohet me dyfishimin e taksës vjetore të automjeteve, zgjerimin e kategorive që do të paguajnë dhe rritjen e TVSH-së nga 20% në 21%.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, e paraqiti paketën si një ndërhyrje me efekt neutral në buxhet, të mbështetur mbi tri parime: “Rishpërndarjen e të ardhurave; Forcimi i drejtësisë fiskale; Përmirësimi i efikasitetit të sistemit tatimor”.
Por shifrat e vetë Ministrisë së Financave tregojnë se pas kësaj rishpërndarjeje fshihet një manovër e mirëfilltë kompensimi, ku ulja e një takse shoqërohet me rritjen e disa të tjerave.
Hiqen 340 milionë euro nga nafta, rikthehen te makinat

Sipas relacionit të projektligjit, heqja e taksës së qarkullimit do t’i kushtojë buxhetit rreth 31,2 miliardë lekë në vit, ose afërsisht 340 milionë euro, përfshirë TVSH-në që aplikohej mbi këtë taksë.
Por në të njëjtën kohë, qeveria parashikon të sigurojë 26,6 miliardë lekë të ardhura shtesë nga taksimi i automjeteve, ose rreth 290 milionë euro.
Për makinat me cilindratë deri në 2.000 cm³, taksa vjetore do të dyfishohet. Një automjet dhjetëvjeçar me naftë, që aktualisht paguan 6.000 lekë, do të paguajë 12.000 lekë. Për makinat me motor më të madh, rritja do të jetë edhe më e lartë.
Në skemën e taksimit do të përfshihen edhe automjetet deri në tre vjet të vjetra, që aktualisht përjashtohen. Makinat elektrike do të paguajnë për herë të parë 15.000 lekë në vit, ndërsa taksa e përvitshme për automjetet luksoze do të rritet nga 21.000 në 40.000 lekë.
Pra, taksa që hiqet nga pompa e karburantit do të rikthehet në një masë të madhe te fatura vjetore e pronarit të makinës.
Rritet TVSH-ja, shtohet edhe një taksë mbi naftën

Ndërsa qeveria premton uljen e çmimit të karburanteve, ajo propozon njëkohësisht rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%.
Kjo rritje do të prekë një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh, përfshirë karburantet. Sipas përllogaritjeve të Monitor, vetëm nga rritja e TVSH-së mbi konsumin e karburanteve, buxheti mund të përfitojë 15 deri në 20 milionë euro shtesë në vit.
Në çmimin e karburanteve parashikohet të reflektohet edhe një detyrim i ri për rezervat e naftës, i përllogaritur në të paktën 3 lekë për litër, me një kosto vjetore për konsumatorët prej afro 30 milionë eurosh.
Kështu, ulja e taksës së qarkullimit kompensohet jo vetëm nga taksat e automjeteve, por edhe nga detyrime të tjera që rëndojnë mbi konsumin.
Rritet tatimi mbi dividendin, zgjerohet baza e TVSH-së

Manovra nuk kufizohet vetëm te automjetet dhe karburantet. Paketa fiskale parashikon rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, pothuajse dyfishim të detyrimit mbi fitimet që shpërndajnë kompanitë te ortakët dhe aksionarët.
Një tjetër ndryshim është ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Kjo do të thotë se më shumë biznese të vogla do të përfshihen në skemën e TVSH-së, duke u përballur me detyrime të reja administrative dhe tatimore.
Qeveria ka propozuar gjithashtu uljen e TVSH-së në 6% për 54 produkte të shportës bazë, një masë që mund të lehtësojë shpenzimet për ushqime. Megjithatë, përfitimi real për konsumatorët do të varet nga reflektimi i uljes së taksës në çmimet e shitjes.
Lehtësimi që nuk i kushton shumë qeverisë
Ministria e Financave e pranon në relacion se ndryshimet synojnë “rishpërndarjen e barrës tatimore dhe kompensimin e efekteve negative në të ardhurat buxhetore, që rrjedhin nga heqja e kësaj takse”.
Vetëm nga zhvendosja e taksës së qarkullimit, bilanci i parashikuar është një humbje neto prej rreth 5 miliardë lekësh për buxhetin. Por kjo llogari nuk përfshin të gjitha të ardhurat shtesë që mund të gjenerohen nga rritja e TVSH-së dhe ndryshimet e tjera të paketës fiskale.
Praktiksisht, ajo që po bën qeveria është se thjesht ka ndryshuar mënyrën se si i mbledh paratë, duke e zhvendosur barrën nga një kategori tatimore te një tjetër. Por vetë nuk ka hequr dorë nga asnjë lek./Lapsi.al