Njëmbëdhjetë ditë pas shpërthimit të protestës së parë, Tirana u ngrit sërish këtë të shtunë në një demonstratë të madhe kundër qeverisë. Me mijëra qytetarë të thirrur nga Partia Demokratike dolën në rrugë për ta mbështetur protestën e studentëve dhe duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. Pas disa ditësh qetësie relative, protesta e 24 tetorit tregoi se revolta nuk është shuar dhe se zemërimi ndaj qeverisë vazhdon të mobilizojë mijëra njerëz, edhe kur duket se intensiteti i protestave ka rënë.
Por rikthimi masiv i protestuesve në rrugë u përball me një ndërhyrje edhe më të ashpër të policisë. Forcat e rendit përdorën që në fillim pushkë me plumba gome, sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe ujë me presion, duke shkaktuar disa të plagosur, mes tyre edhe një 28-vjeçar të goditur rëndë në sy.
Ashpërsimi i ndërhyrjes policore erdhi vetëm pak ditë pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiç, aleati politik i Ramës, e kishte kritikuar kryeministrin shqiptar për qëndrimin tepër të butë ndaj protestuesve. Ajo çfarë u pa në protestën e së kësaj të shtune në Tiranë, ishte një dozë e shtuar dhune, pasi policia përdori që në fillim të protestës pushkët me plumba gome, hodhi gaz lotsjellës në masë të madhe dhe ujë me presion kundër turmave të protestuesve, ndërsa përplasjet u shoqëruan me disa të plagosur, mes të cilëve edhe persona të goditur në fytyrë dhe në trup.
Përdorimi i plumbave të gomës shënoi një tjetër përshkallëzim të ndërhyrjes policore ndaj protestave të të rinjve, që prej 13 tetorit kanë përfshirë kryeqytetin dhe qytete të tjera të vendit. Gjatë orëve të paraditës, në media u raportua për dy persona të plagosur në bark nga plumbat e gomës dhe fotot e plagëve u shpërndanë edhe në media.
Pavarësisht denoncimeve, policia vazhduan të përdorin plumbat e gomës kur të rinjve.
Incidenti më i rëndë deri më sot i protestave ndodhi në sheshin “Skënderbej”, ku 28-vjeçari Erjon Vishkulli u plagos në sy nga një plumb gome. Pamjet e të riut që ulërin nga dhimbja, me syrin e plagosur dhe që transportohet pa ndjenja janë publikuar në rrjetet sociale dhe tregojnë një nga momentet më të rënda të këtyre ditëve.
I riu, i njohur si pjesëtar i grupimit të tifozëve të Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi”.
Sipas raportimeve, Vishkulli iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se një protestues i plagosur në sy po merrte trajtim të specializuar.
Ndërkohë, pamje të tjera, të publikuara nga gazetari Osman Stafa treguan një efektiv policie që godet vazhdimisht me shkop gome një qytetar të shtrirë në tokë, i cili nuk reagon.
Në video dëgjohen thirrjet që kërkojnë ndihmë mjekësore, ndërsa i dëmtuari nuk reagon.
Përplasjet nisën në mesditë tek ministria e Arsimit, por u përshkallëzuan në orët e pasdites dhe mbrëmjes në disa zona të Tiranës. Protestuesit hodhën fishekzjarrë, mjete piroteknike dhe kokteje molotov në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome.
Në disa momente, sheshi “Skënderbej” dhe bulevardi kryesor i kryeqytetit u mbuluan nga gazi lotsjellës. U raportuan gjithashtu djegie të kazanëve të mbeturinave, dëmtime të bizneseve dhe thyerje xhamash në një degë bankare në zonën e “Vasil Shantos”.
Bilanci paraprak i Ministrisë së Shëndetësisë ishte 13 persona që kërkuan ndihmë mjekësore, mes tyre protestues, punonjës policie dhe përfaqësues të medias.
Protesta e 24 tetorit tregoi një tjetër përshkallëzim të konfliktit mes qeverisë dhe protestuesve, me përdorimin e mjeteve gjithnjë e më të forta nga policia dhe me rritjen e rrezikut për dëmtime të rënda. Por dallimi kryesor i kësaj të shtune ishte një bashkim i butë që ndodhi mes studentëve që e udhëheqin protestën dhe mbështetësve të Partisë Demokratike që u bënë bashkë më herët gjatë ditës për të marshuar drejt ministrisë së Arsimit.
Megjithatë mbetet për t'u parë në ditët në vazhdim se sa autentik ka qenë ky bashkim forcash në protestë.
Disa ditë pasi Aleksandar Vuçiç e konsideroi Ramën tepër të butë me protestuesit, pamjet nga Tirana tregojnë një polici që ka ashpërsuar ndjeshëm ndërhyrjet e saj. Nuk mund të thuhet se ky ashpërsim i dhunës së policisë është pasojë e ndonjë komunikimi mes Vuçiçit dhe Ramës, por përkimi mes deklaratës së tij dhe zhvillimeve të fundit është politikisht domethënës./Lapsi.al