
Protesta e 24 tetorit në Tiranë ka hyrë edhe në vëmendjen e medias amerikane Bloomberg, e cila raporton për zgjerimin e lëvizjes dhe rritjen e kërkesave për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas medias amerikane, protestat e drejtuara nga studentët vijojnë prej afro dy javësh, ndërsa rrënjët e pakënaqësisë lidhen edhe me tubimet e nisura muaj më parë kundër projektit për një resort luksoz në jug të vendit. Bloomberg shkruan se në protestën e së shtunës studentëve iu bashkuan pedagogë, mësues, përfaqësues të opozitës dhe figura të tjera publike.
Raportimi ndalet edhe te përplasjet në qendër të Tiranës. Protestuesit hodhën gurë dhe sende të tjera drejt policisë, ndërsa në disa zona u dogjën kosha mbeturinash. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës, ujë me presion dhe fishekë gome. Sipas Bloomberg, tensionet nuk mbetën vetëm në bulevard, por u zhvendosën edhe në zona të tjera të kryeqytetit. Media rikujton gjithashtu deklaratat e Ramës para protestës, ku kryeministri tha se qeveria po punonte për masa që lidhen me koston e jetesës, strehimin dhe mundësitë ekonomike.