
Tensionet në Tiranë janë përhapur në disa zona në qendër të kryeqytetit, me incidente pranë institucioneve dhe përplasje të vazhdueshme me policinë.
Një pjesë e protestuesve i kanë vënë zjarrin hyrjes së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa drejt bashkisë së Tiranës janë hedhur shishe molotov.
Situata është tensionuar edhe në sheshin “Skënderbej”, ku janë përdorur mjete piroteknike. Fishekzjarrë janë hedhur gjithashtu drejt selisë së Partisë Socialiste dhe pranë Bankës së Shqipërisë, ku përballë protestuesve janë pozicionuar efektivë policie.
Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmat. Gjatë mbrëmjes janë raportuar edhe kosha mbeturinash të djegur, bllokime në disa rrugë dhe përplasje sporadike mes protestuesve dhe forcave të rendit.