
Një grup protestuesish është zhvendosur drejt sheshit “Skënderbej”, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre. Disa prej qytetarëve janë afruar pranë godinës së bashkisë së Tiranës, ndërsa një protestues është ngjitur në pjesën e dritareve të ndërtesës.
Protesta vijon e shpërndarë në disa pika të kryeqytetit. Grupe protestuesish ndodhen në lulishten e sheshit “Skënderbej”, por edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Tensione janë regjistruar edhe pranë Ministrisë së Brendshme, e cila është goditur me gurë.
Ndërkohë, pranë “Urës së Bllokut” protestuesit u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave në të dy anët e rrugës. Disa prej tyre janë përmbysur dhe kanë bllokuar rrugën e kalimit.