
Administrata shtetërore në Shqipëri po përballet me ndryshime në drejtimin e disa prej institucioneve kryesore të vendit. Pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve, deri më tani janë raportuar 20 drejtues që kanë dhënë dorëheqjen.
Ndryshimet prekin institucione në varësi të disa ministrive, përfshirë Ministrinë e Financave, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrinë e Drejtësisë, si dhe agjenci të tjera shtetërore.
Në varësi të Ministrisë së Financave, kanë dhënë dorëheqjen drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB).
Në sektorin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndryshimet përfshijnë drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Albpetrolit, Hekurudhës Shqiptare dhe Albcontrolit, si dhe institucione të tjera në varësi të kësaj ministrie.
Ndryshime ka edhe në institucionet e drejtësisë, ku kërkesat për dorëheqje kanë përfshirë drejtuesit e Burgjeve, Shërbimit të Provës, Përmbarimit, Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Lista përfshin gjithashtu drejtues të institucioneve dhe agjencive të tjera shtetërore, si Identitek, Agjencia e Inteligjencës Financiare, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
Lista e drejtuesve që kanë dhënë dorëheqjen
Institucionet e financave dhe ekonomisë
Ilir Binaj, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.
Besmir Beja, drejtor i Përgjithshëm i Doganave.
Etugert Llazi, drejtor i Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Jonaid Myzyri, drejtues i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.
Institucionet e Infrastrukturës dhe Energjisë
Ami Kozeli, drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Viola Haxhiademi, drejtuese e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Elisian Bici, drejtues i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST).
Eltar Deda, drejtues i Albpetrolit.
Ergys Verdho, drejtues i Hekurudhës Shqiptare.
Dritan Isaku, drejtues i Albcontrol.
Institucionet e drejtësisë
Sadleva Bodo, drejtuese e Përgjithshme e Burgjeve.
Ergys Qirici, drejtues i Përgjithshëm i Përmbarimit.
Besmir Kola, drejtues i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës.
Valdrin Pjetri, drejtues i Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
Eduard Merkaj, drejtues i Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Agjenci dhe institucione të tjera
Silda Anagnosti Çepe, drejtuese e IdentiTek.
Ervin Koçi, drejtues i Agjencisë së Inteligjencës Financiare.
Laura Plaku Saro, drejtuese e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
Ardita Kuçi, drejtuese e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
Marjeta Përlala, drejtuese e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.