
Analisti Fatos Lubonja, teksa ka nisur protesta kombëtare në Tiranë, është shprehur se situata aktuale kërkon reflektim nga Partia Demokratike dhe të gjithë aktorët politikë që kërkojnë largimin e qeverisë së Edi Ramës.
Sipas Lubonjës, opozita duhet të gjejë mënyrën më të mirë për të rritur pjesëmarrjen në protestë dhe për të siguruar mbështetjen më të madhe të mundshme në zgjedhjet e ardhshme, nëse kryeministri vijon të refuzojë largimin nga pushteti.
“Ky është një moment që duhet të reflektojnë të gjithë. PD-ja dhe të gjithë aktorët e tjerë politikë që kërkojnë dorëzimin e kësaj qeverie, për të gjetur zgjidhjen optimale se si të arrihet numri më i madh i njerëzve në protestë dhe si të arrihet numri më i madh i votuesve në zgjedhjet që mund të vijnë”, u shpreh Lubonja per News 24.
Analisti tha se, sipas tij, Rama ka ndërmend të qëndrojë në pushtet, duke e cilësuar këtë si një gabim si për kryeministrin dhe partinë e tij, ashtu edhe për Shqipërinë.
Lubonja: Mendimi im është që ky është një moment që duhet të reflektojnë të gjithë. PD-ja dhe të gjithë aktorët e tjerë politikë që kërkojnë dorëzimin e kësaj qeverie, për të gjetur zgjidhjen optimale se si të arrihet numri më i madh i njerëzve në protestë dhe si të arrihet numri më i madh i votuesve në zgjedhjet që mund të vijnë, nëse Edi Rama do të vazhdojë të këmbëngulë duke mos u larguar, siç mendoj se ka ndërmend të bëjë gabimisht, si për të dhe për partinë e tij, ashtu edhe për Shqipërinë, duke qëndruar aty me dhunë policore.
Është me vend edhe mendimi politik, jo vetëm emocional, por edhe politik, se si duhet forcuar kjo protestë dhe masa e atyre që duan Edi Ramën jashtë politikës dhe qeverinë e tij jashtë pushtetit.