
Policia e Shtetit ka shtuar masat parandaluese dhe reaguese për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në prag të tubimit të paralajmëruar për ditën e sotme, pas konstatimit të thirrjeve në rrjetet sociale për akte të mundshme dhune.
Në një deklaratë për mediat, Albert Nushi, shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, bëri të ditur se në platformat online janë evidentuar thirrje për grumbullimin e personave të maskuar dhe të pajisur me lëndë piroteknike, bomba Molotov, sfera e vida metalike, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.
Sipas Policisë, edhe gjatë ditës së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë konstatuar thirrje për sulme ndaj punonjësve të Policisë, djegie të automjeteve të uniformave blu dhe dëmtim të pronës publike e private.
Në lidhje me këto thirrje, ka nisur procedimi penal, ndërsa strukturat e specializuara po kryejnë veprime hetimore për identifikimin e personave përgjegjës dhe vënien e tyre përpara drejtësisë.
“Personat që synojnë ta shfrytëzojnë tubimin për të ushtruar dhunë, pavarësisht maskimit apo përpjekjeve për të fshehur identitetin, do të identifikohen dhe do të përballen me përgjegjësinë ligjore”, deklaroi Nushi.
Policia u bëri thirrje pjesëmarrësve që të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, duke theksuar se e drejta kushtetuese për t'u tubuar paqësisht do të respektohet dhe mbrohet, por nuk mund të përdoret si justifikim për sulme ndaj punonjësve të Policisë apo shkatërrim të pronës.
Një apel i veçantë iu drejtua prindërve, të cilëve u kërkohet të mos lejojnë pjesëmarrjen e fëmijëve në tubime apo qëndrimin e tyre në ambiente ku mund të rrezikohen nga përplasjet dhe aktet e dhunshme të paralajmëruara.
“Mbrojtja e fëmijëve nga situatat e rrezikshme është përgjegjësi e përbashkët”, theksoi Nushi.
Policia iu drejtua gjithashtu gazetarëve dhe operatorëve mediatikë që do të raportojnë nga terreni, duke u kërkuar të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë, për të shmangur rrezikimin e jetës dhe shëndetit të tyre. Në deklaratë nënvizohet rëndësia e informimit të publikut dhe e ushtrimit të lirë të veprimtarisë gazetareske, në respektim të masave të sigurisë.
Në përfundim, Policia e Shtetit apeloi për qetësi, përgjegjshmëri dhe respektim të ligjit, duke garantuar se shërbimet në terren do të veprojnë në përputhje me ligjin dhe duke respektuar parimin e proporcionalitetit në reagimin ndaj çdo akti dhune apo paligjshmërie.