
Erion Veliaj duket se po e paguan shtrenjtë mesazhin që dha për triumfin e studentëve në Serbi duke dalë nga rreshti i Edi Ramës. Papritur atë e kanë çuar në paraburgimin e Fierit, në një lëvizje që mban të gjitha shenjat e një ndëshkimi politik.
Transferimi nuk është bërë me kërkesë të Veliajt, ndërsa administrata e burgjeve nuk ka dhënë deri tani asnjë motivacion publik për këtë vendim. Urdhri është firmosur nga drejtoresha e re e burgjeve, e emëruar vetëm pak javë më parë.
Në pamje të parë, mund të duket si një lëvizje e zakonshme administrative. Por koha kur ndodhi, mungesa e një shpjegimi dhe historia e marrëdhënies mes Ramës dhe Veliajt tregon se kemi të bëjmë me një tjetër akt ndëshkimi të drejtpërdrejtë ndaj ish-bashkëpunëtorit më të afërt të kryeministrit.
-
Intriga/ Si e mashtroi Rama Veliajn para flijimit
25 Shtator, 20:47
Për herë të parë që nga arrestimi, Veliaj bëri një deklaratë që binte ndesh me interesat politike të Ramës. Entuziasmin për rezultatin e zgjedhjeve në Serbi, e shprehu hapur duke i cilësuar protestat studentore si fundin e një bote politike. Sidomos kur vendimi vjen menjëherë pas një deklarate që, megjithëse i referohej zhvillimeve në Serbi, kishte një domethënie të qartë edhe për përplasjen politike në Shqipëri.
“Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate”, shkroi Veliaj.
Mesazhi mund të lexohej edhe si një mbështetje e hapur për protestat në Tiranë, që me masivitetin dhe përshkallëzimin e tyre vunë në vështirësi qeverinë e Edi Ramës.
Veliaj e kishte legjitimuar revoltën e të rinjve si një forcë të natyrshme ndryshimi politik, ndërsa Rama kishte zgjedhur ta paraqiste revoltën kundër qeverisë së tij si produkt të organizimeve të fshehta dhe interesave destabilizuese.
Prej kohësh, në prapaskenat e politikës janë përfolur dyshime se Veliaj mund të jetë përpjekur të luajë çdo gur për të mbështetur protestat kundër Ramës, duke shpresuar se dobësimi i kryeministrit do të ndryshonte raportet e forcave brenda Partisë Socialiste. Mesazhi që dha disa ditë më parë, duket se kanë forcuar bindjen se këto nuk ishin vetëm thashetheme.
Ndërkohë marrëdhënia mes Ramës dhe Vuçiç ishte një aleancë politike e ndërtuar për më shumë se një dekadë, e mbështetur në një bashkëpunim të ngushtë rajonal që kulmoi me krijimin e Ballkanit të Hapur dhe në interesa të përbashkëta politike. Përtej marrëdhënieve shtetërore, Rama dhe Vuçiç kishin një afërsi personale, e cila është bërë veçanërisht e dukshme në mënyrën se si kanë reaguar ndaj sfidave të pushtetit të tyre.
Rama vetë nuk e përshëndeti rotacionin e pushtetit në Serbi, ndërsa Vuçiç mbajti anën e tij duke e këshilluar të mos tregohej shumë i butë.
“Ka bërë një gabim. Edi besoi më gjatë se unë se mund t’i zbuste me diçka. Dhe gaboi, humbi kohë. Dhe ata tani… nëse e detyrojnë të shpallë zgjedhje, do ta ketë shumë të vështirë t’i fitojë ato zgjedhje. Tani gjithçka më duket irracionale. Sepse ai është një nga asetet më të mëdha të Shqipërisë, pavarësisht se si e sheh secili këtë.”, pohoi Vuçiç disa ditë më parë në mediat serbe.
Në këtë kontekst, mbështetja e Veliajt për studentët që sfiduan Vuçiçin ishte njëkohësisht një goditje politike ndaj argumenteve që Rama përdor për të delegjitimuar protestat në Shqipëri.
Urdhri për lëvizjen e tij nuk vonoi as 48 orë më pas. Ndëshkimi i Ramës për Veliajn bëhet akoma më i hidhur pasi paraburgimi ku është dërguar Veliaj ndodhet në Fier, zonën elektorale të Belinda Ballukut.
Në shkurt të vitit 2025, Veliaj u kishte shprehur socialistëve dhe njerëzve të afërt dyshimet se pas goditjes së tij qëndronte pikërisht Balluku. Në atë kohë, mediat pranë tij ngritën pikëpyetje edhe për mënyrën se si informacionet që mund të disponoheshin nga institucione nën ndikimin e zëvendëskryeministres kishin përfunduar në duart e hetuesve.
Marrëdhënia e tij me Ballukun kishte qenë prej kohësh e ngarkuar nga rivalitetet dhe mosbesimi. Tani Veliaj është përfundimisht nën territorin politik të Ballukut.
Përgjimet e kryera nga SPAK pas arrestimit të Veliajt rreth një vit më parë,treguan se kryebashkiaku i Tiranës kishte kërkuar vetë transferimin nga paraburgimi 313 në Tiranë drejt Durrësit.
“Në orën15:25, Erioni bisedon me Arbrin,të cilit i shpreh shqetësimin që i kanë ardhur lajme se duan ta transferojnë në një IEVP tjetër, duke përmendur se duan të na dërgojnë te Alkatrazi në Tiranë, me high security”, shkruhej në dosjen e përgjimeve të SPAK.
Veliaj dikur e quante paraburgimin e Tiranës “Alkatraz”, pa e menduar se në Shqipërinë e Edi Ramës dhe të Belinda Ballukut, Alkatrazi-n e provon ditën kur del hapur kundër tyre./Lapsi.al


