Flash

"Rama në burg, Berisha në burg"/ Sherr brenda opozitës për thirrjet e protestës

Rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve lokale, protestat kundër qeverisë kanë nxjerrë në sipërfaqe përçarjen e opozitës, duke ndezur një përplasje të ashpër mes Sali Berishës dhe Arlind Qorit për përfaqësimin e pakënaqësisë qytetare, ndërsa Edi Rama përfiton politikisht nga lufta mes kundërshtarëve të tij.

14:10

"Rama në burg, Berisha në burg"/ Sherr brenda opozitës për thirrjet e protestës

Rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve lokale, protestat kundër qeverisë kanë nxjerrë në sipërfaqe përçarjen e opozitës, duke ndezur një përplasje të ashpër mes Sali Berishës dhe Arlind Qorit për përfaqësimin e pakënaqësisë qytetare, ndërsa Edi Rama përfiton politikisht nga lufta mes kundërshtarëve të tij.

Lapsi.al 1 November 2026

"Rama në burg, Berisha në burg"/ Sherr brenda opozitës

Një ndarje e hershme brenda opozitës, që ka qenë gjithnjë aty por që është mbajtur nën kontroll, u shndërrua papritur ditët e fundit në një përplasje të ashpër, me akuza të ndërsjella. Sali Berisha dhe Arlind Qori kanë dalë hapur kundër njëri-tjetrit me akuza për bashkëpunim me Edi Ramën dhe për sabotimin e protestave kundër qeverisë. Kreu i Partisë Demokratike sulmoi sërish këtë të diel drejtuesin e Lëvizjes Bashkë, duke e cilësuar pjesë të një opozite që punon për interesat e kryeministrit. Nga ana tjetër, Qori, në një video të publikuar të shtunën nga protesta, e kishte akuzuar Berishën se është partner në krim i Ramës dhe se po përpiqet të mbijetojë politikisht.

Shkak i shpërthimit të Berishës ndaj Arlind Qorit kanë qenë thirrjet që nga qershori në protesta "Rama në burg, Berisha në burg", sherret e simpatizantëve të PD që lindën në momentin kur këta iu bashkuan protestave të flamingove dhe refuzimi kategorik që iu është bërë deputetëve të Partisë Demokratike në tubime, deri në kërcënime dhe dhunë për t'i larguar.

Akuzat e Berishës për Qorin: Jago i Ramës në protesta

"Rama në burg, Berisha në burg"/ Sherr brenda opozitës

Berisha pretendon se sloganet që barazojnë PD me PS synojnë të pengojnë pjesëmarrjen e demokratëve në protesta. Ai tha se prej kohësh, Partia Demokratike kishte heshtur, për të mos e përçarë protestën, por tani ka kuptuar se ajo ishte e tradhtuar nga "besëprerë" dhe "Jago".

“Mirëpo ajo protestë, për një sërë shkaqesh që s’është momenti tani, me gjithë mbështetjen tonë dhe vendimin tonë, së pari për të mos e përçarë, së dyti për të marrë pjesë sa më shumë në protestë, së treti duke ftuar një bashkëpunim sa më të gjerë, ajo protestë me gjithë kulmet e saj të papërsëritshme, kreativitetin e jashtëzakonshëm të dekorit dhe skenarit të saj, për fat të keq u tradhtua nga Jago dhe besëprerë të cilëve historia s’do t’ua falë kurrë”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, përgjegjësia bie mbi atë që e quan “opozita e opozitës”, e cila, në vend që të përqendrohej te rrëzimi i qeverisë, kërkoi të konkurronte Partinë Demokratike për përfaqësimin e pakënaqësisë qytetare.

“Një ndër këta ishte opozita e opozitës. Që mendoi se tani do bëhej opozita e madhe duke harruar se aty ishte një popull në këmbë, dhe u hodhën sloganet, u krahasua Partia Demokratike, lokomotiva e vërtetë e të gjitha protestave dhe opozitarizmit në Shqipëri, lokomotiva e betejës kundër narkoshtetit dhe narkodiktaturës, e dokumentuar me qindra e qindra akte e dokumente, u krahasua me Partinë Socialiste dhe u bë lajtmotiv pikërisht për ta dështuar protestën. Çka s’ishte fare në kërkesat e përfaqësuesve”, tha ai.

Berisha e konsideron kundërshtimin e tij nga protestuesit si një përpjekje për të dobësuar opozitën kryesore, duke e lidhur këtë qëndrim me interesa që, sipas tij, i shërbejnë Ramës.

“Slogani i ekstremistëve të majtë dhe sorosianëve që s’ia falim kurrë Sali Berishës, ‘Rama ik, Berisha ik’ ose ‘opozitë e shitur’, slogane që kishin si qëllim bllokimin e popullit opozitar për të marrë pjesë në protestë", deklaroi Berisha.

Më pas, ai e përqëndroi sulmin personalisht ndaj Arlind Qorit, duke e akuzuar se nuk synon largimin e Ramës, por vetëm korrigjimin e politikave të qeverisë. Berisha shkoi më tej, duke ngritur edhe akuza për përfitime të paligjshme financiare, pa paraqitur prova që t’i mbështesin.

“Merrni intervistën e Qorrit të Ramës tek Neës24 ku thotë se ne protestojmë dhe Rama na dëgjon dhe korrigjon gabimet. Faktikisht pra, ai ishte një hipokrit i poshtër që mashtronte, gjoja kërkonte largimin e Ramës në një kohë kur ai kërkonte korrigjimin e tij sepse mbahet me miliona të destinuara për taksapaguesit shqiptarë, por në mënyrat më të paligjshme i kalojnë në kontot e tij e bëhen siç bëhen me to. Po, kjo është e vërteta”, u shpreh kreu i PD.

Qori: Berisha, partner në krim i Ramës

Sulmeve të përsëritura të Berishës ditët e fundit u kundërshtuan nga një video e Arlind Qorit të shtunën në Facebook, gjatë protestës. Ai e cilësoi kreun e PD një politikan që po përpiqet të mbijetojë duke mashtruar qytetarët. Për Qorin, Rama dhe Berisha nuk përfaqësojnë dy alternativa të kundërta, por dy figura të së njëjtës klasë politike.

“Në Shqipërinë e sotme nuk ka tragjedi që të mos shoqërohet me një komedi. Në njërën anë kemi Edi Ramën, një persona që po ua nxin jetën përditë shqiptarëve. Po i vjedh, bashkë me oligarkët, bashkë me kriminelët. Po u shet atdheun, po u shkatërron natyrën, si në Zvërnec, në Sazan, në Rrjoll e kudo tjetër”, deklaroi Qori.

Duke e vendosur Berishën në të njëjtën anë me kryeministrin, drejtuesi i Lëvizjes Bashkë e akuzoi atë për bashkëpunim në dëm të qytetarëve.

“Mirëpo në anën tjetër kemi një personazh qesharak, Sali Berishën i cili është partneri në krim i Edi Ramës në sa e sa mbrapshti. Mirëpo që ka pafytyrësinë të gënjejë dhe të bëjë çfarëdolloj piruete politike vetëm për të mbijetuar politikisht”, u shpreh ai.

Qori pretendoi gjithashtu se mbështetës të Berishës kanë ushtruar presion dhe kanë kërcënuar qytetarët, por sipas tij kjo thirrje nuk vinte nga Lëvizja Bashkë, por "vjen nga shpirti i çdo qytetari që ka 35 vite që vidhet".

“Sali Berisha dhe të tijtë kanë ditë që akuzojnë çdokënd, çdo njeri, madje kërcënojnë edhe fizikisht pse qytetari thërret ‘Rama në burg, Berisha në burg’ gjatë protestës. Kjo thirrje nuk lind nga Lëvizja Bashkë, megjithëse ne jemi dakort 100% me një thirrje të tillë. Vjen nga shpirti i çdo qytetari që ka 35 vite që vidhet dhe poshtërohet nga kjo dyshe mujsharësh, Edi Rama dhe Sali Berisha”, deklaroi Qori.

Pse u përshkallëzua konflikti Berisha-Qori

Përplasja mes Berishës dhe Qorit e ka zanafillën në protestat që nisën në qershor kundër projektit turistik në zonën e Zvërnecit, ku kundërshtimi i ndërhyrjeve në një zonë me rëndësi mjedisore u shndërrua në një lëvizje më të gjerë qytetare. Tubimet, të njohura edhe si protestat e flamingove, u përqendruan fillimisht te mbrojtja e natyrës dhe kundërshtimi i projekteve të lidhura me interesa të mëdha ekonomike, por këto nuk patën mbështetjen e Partisë Demokratike që në gjenezë duke i lënë hapësirë thirrjeve "Rama në burg, Berisha në burg".

Me kalimin e kohës, mobilizimi u zgjerua, duke përfshirë qytetarë që ngritën kërkesa për arsimin, koston e jetesës, gjendjen në spitale, mungesën e drejtësisë, korrupsionin dhe përgjegjësinë e qeverisë mbi këto fenomene. Në tetor, protestat u përshkallëzuan në përplasje të dhunshme me policinë, ndërsa pati raste kur deputetët demokratë u përzunë.

Karakteri fillimisht qytetar i lëvizjes dhe refuzimi për t'u identifikuar me një parti, sidomos me partitë tradicionale kanë krijuar një frustrim tek Partia Demokratike që iu bashkua me vonesë protestës së flamingove në bulevard dhe asaj të studentëve në javët e fundit. Në protestën e fundit që thirr në bulevard, gjithsesi deputetët e PD dolën në krye të protestës për t'u identifikuar hapur me tubimin.

Por përtej interesave të njërës apo tjetrës forcë politike, ajo që mbetet në këtë fazë, është beteja e hapur brenda opozitës që nis rreth gjashtë muaj përpara zgjedhjeve lokale. Mbetet për t'u parë nëse përplasja Berisha-Qori ia bën më të lehtë Ramës përballjen me opozitën apo e orienton votën e të pakënaqurve me Ramën drejt Lëvizjes Bashkë./Lapsi.al

Të këshilluara

Fotoja në dosjen e SPAK/ Kutia e mbushur me euro në vilën e Ballukut

Në dosjen e SPAK për vilën luksoze që Belinda Balluku dyshohet se zotëronte në Dhërmi, mes qindra komunikimeve që sipas prokurorëve provojnë pronësinë e saj faktike, është zbuluar edhe fotografia e një kutie të mbushur me tufa kartëmonedhash 50 euroshe, që dyshohet se ndodhej brenda vilës.

11:05

ide

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

90.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Fotoja në dosjen e SPAK/ Kutia e mbushur me euro në vilën e Ballukut

Në dosjen e SPAK për vilën luksoze që Belinda Balluku dyshohet se zotëronte në Dhërmi, mes qindra komunikimeve që sipas prokurorëve provojnë pronësinë e saj faktike, është zbuluar edhe fotografia e një kutie të mbushur me tufa kartëmonedhash 50 euroshe, që dyshohet se ndodhej brenda vilës.

11:05

Me sytë katër

PAPARAZZI