
“Nuk është kurrë e lehtë të ruash të njëjtin uri për fitore nga një vit në tjetrin”. Kjo ishte fjalia që Chivu përdori në përfundim të derbit të humbur 3-1 kundër Milanit, duke hapur një temë interesante. Ajo jep një shpjegim për momentet e mungesës së përqendrimit të një skuadre që ka humbur qëndrueshmërinë dhe sigurinë, ndërsa deri tani ia kishte dalë të shpëtonte situatat përmes përmbysjeve mbresëlënëse.
Por këtë mbrëmje mungonte Lautaro Martinez, i cili shpesh e kishte nxjerrë skuadrën nga situatat e vështira. Me atë në sulm përkrah Thuram (ose Pios), gjithçka ndryshon. Për më tepër, plani për të luajtur me një sulmues të vetëm, Thuram, për shkak të emergjencës në skuadër, nuk funksionoi. Pse u zgjodh kjo skemë? Nuk ishte një rrezik i marrë me dëshirë nga trajneri, pasi ai nuk kishte alternativë tjetër. Edhe ky është një faktor që e zgjeron analizën mbi mënyrën se si rrodhën ngjarjet. “U detyruam të improvizonim, pasi emergjencat u shfaqën gjatë dy ditëve të fundit”, tha Chivu.
“U detyruam të bënim ndryshime. Bonny ka vjellë gjithë natën, kishte temperaturë dhe na konfirmoi se ishte në dispozicion vetëm në momentin e fundit. Këto ditë kemi pasur lojtarë me virus të zorrëve. Pio kishte pasur temperaturë. U përpoqëm të luanim mes linjave. Diouf duhej të sulmonte më shumë hapësirat. Mendonim se kjo ishte zgjidhja më e mirë, por na u desh të përshtateshim me emergjencat”, shpjegoi trajneri. Megjithatë, fakti që Interi nuk arrin të fitojë një derbi prej dy vitesh e ka bërë edhe më të dukshme problemin. Disa ndeshje mund t'i fitosh, ose të paktën ke mundësinë t'i fitosh, vetëm nëse mendja, zemra dhe këmbët funksionojnë së bashku. Kjo skuadër ka treguar shpesh momente shkëputjeje në këtë aspekt.

“Të humbasësh një derbi dhemb, sidomos kur pritshmëritë tona ishin të larta. E nisëm gabim ndeshjen, por jo gjithçka duhet hedhur poshtë. Reaguam, mund të kishim barazuar pas asaj pritjeje të Maignan. Na vjen keq, prisnim të bënim më mirë dhe prisnim të jepnim diçka më shumë. Duhet të përmirësohemi në mënyrën si e nisim ndeshjen, në qëndrim dhe në vendosmërinë që na mungon në disa momente. Duhet ta kthejmë faqen, sepse pas tri ditësh kemi një tjetër ndeshje po aq të rëndësishme”. Pikërisht këtu qëndron thelbi i çështjes. Te ai “provincializëm” që trajneri përmendi në konferencën për shtyp. Çfarë kishte dashur të thoshte me këtë?
Vetëdija për të qenë një skuadër mund të jetë një armë me dy tehe, veçanërisht kur nuk ke më mjaftueshëm mekanizma mbrojtës për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe perceptimin e rrezikut. Ky i fundit është ai që, në momente të caktuara, të shtyn të bësh gjërat e thjeshta, madje edhe ato më pak elegante, por të nevojshme. “Nuk kërkoj justifikime, alibi dhe nuk shikoj nga e kaluara, por duhet ta pranojmë. E kemi të vështirë të gjejmë agresivitetin e duhur, përveç rasteve kur kalojmë në disavantazh, dhe ndonjëherë atëherë është paksa vonë. Kemi përgjegjësitë tona për qëndrimin në fushë dhe për lehtësinë me të cilën mbrohemi. Vitin e kaluar kishim më shumë grintë. Duhet ta rikthejmë atë”, përfundoi Chivu.