
Një tjetër shtetas amerikan është arrestuar nga policia e Tiranës pas protestës së 31 tetorit, nën dyshimin për përfshirje në aktet e dhunës. Kevin Radosevich, nga Kalifornia, dyshohet se është fotografuar duke shpërndarë koktej molotov mes protestuesve. Megjithatë, policia nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë veprim konkret.
Arrestimi i tij është rasti i dytë i një shtetasi amerikan të ndaluar gjatë protestave të fundit kundër qeverisë së Edi Ramës. Më 17 tetor, policia arrestoi amerikanin Julien Williams dhe italianin Marko Benvenuto, të dy të dyshuar për përfshirje në përplasjet me efektivët. Sipas raportimeve, ata i kanë mohuar akuzat.
Përfshirja e shtetasve të huaj në protestat e Tiranës është tashmë një fakt i dokumentuar, por ndryshe nga çfarë aludon kryeministri Rama, të huajt e arrestuar deri më tani nuk janë as rusë, as iranianë. Ata janë shtetas që vijnë nga vendet perëndimore, por për të cilët deri tani nuk ka prova publike që të tregojnë se ata kanë vepruar në mënyrë të koordinuar apo në emër të organizatave ose agjencive të huaja.
Ndërkohë ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar disa herë, duke kërkuar shmangien e dhunës dhe respektimin e së drejtës për protestë paqësore.