
Katër nxënës të gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës kaluan natën në ambientet e policisë malazeze në Kotor, pas një incidenti me një grua të moshuar vendase, e cila reagoi ndaj tyre pasi bënë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë, gjatë një ekskursioni turistik që nxënësit e shkollës po zhvillonin në Malin e Zi. Sipas informacioneve të raportuara, katër gjimnazistët po ktheheshin nga dreka kur u përballën me një grua të moshuar, e cila i pyeti se nga vinin.
Nxënësit iu përgjigjën duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dhe duke qeshur. Gruaja reagoi duke goditur me shuplakë njërin prej tyre, çka solli përshkallëzimin e situatës.
Më pas, ajo njoftoi policinë malazeze, duke pretenduar se ishte provokuar nga të rinjtë. Efektivët ndërhynë dhe shoqëruan katër gjimnazistët në komisariat, ku ata qëndruan gjatë natës.
Në polici shkoi edhe një nga mësueset që shoqëronte nxënësit gjatë ekskursionit. Katër të rinjtë u lanë të lirë më pas, por sipas informacioneve të raportuara, autoritetet malazeze u kërkuan të mos përsërisnin gjeste me simbole kombëtare.
Për incidentin u njoftuan mbrëmjen e kaluar Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar në Durrës dhe Ministria e Arsimit.