
Intervistat në pushimin e ndeshjeve janë dënuar gjerësisht nga tifozët dhe njerëzit e botës së futbollit, por lojtarët dhe trajnerët kanë qenë kryesisht bashkëpunues në përgjigjet e tyre – kjo deri në momentin kur një mikrofon iu vendos përpara mbrojtësit të Valencias, Pablo Maffeo.
Maffeo nuk ka pasur kurrë nevojë për shumë nxitje për të acaruar lojtarët e Real Madrid në të kaluarën. Nga përballjet e tij me Vinícius Júnior te Mallorca, deri te thumbimet ndaj Jude Bellingham, mbrojtësi i krahut e ka bërë zakon të marrë vëmendjen sa herë që Los Blancos janë në qytet. Këtë herë, megjithatë, nuk ishte një lojtar i Realit ai që u gjend në anën tjetër të sulmit të tij. Ishte një gazetar televiziv, ndaj të cilit ai reagoi, duke kundërshtuar formatin jopopullor të intervistave.
Çfarë tha Maffeo në intervistën e tij gjatë pushimit të ndeshjes
Pjesa e parë e luajtur nga Maffeo në Mestalla nuk kishte shkuar sipas planit; ai u ndëshkua me karton të verdhë për një faull ndaj Kylian Mbappé, pak jashtë zonës së rreptësisë, dhe kur goditja e lirë e francezit u përplas në murin mbrojtës, Federico Valverde përfitoi nga topi i kthyer dhe shënoi golin e parë. Arda Güler shtoi golin e dytë para pushimit. Prandaj, kur DAZN e ndali mbrojtësin Maffeo për intervistën e zakonshme të pushimit të ndeshjes, ai nuk ishte aspak në humor për të folur. “Nuk kam fare dëshirë ta bëj këtë intervistë. Mendoj se kjo intervistë këtu është kot, nuk ka asnjë kuptim”, tha ai me zemërim. “Por sidoqoftë, kështu është. Nëse duhet ta bëjmë intervistën, e bëjmë dhe kaq”.
Kur u pyet se çfarë i kishte munguar Valencias, ai e drejtoi vëmendjen te gjyqtari, duke këmbëngulur se faulli që çoi në golin e parë nuk duhej të ishte akorduar. “Do të doja që gjyqtari të ishte pak më i drejtë. Mendoj se na u bë padrejtësi te goli i parë dhe kjo ndikoi te ne”, shtoi ai. “Natyrisht, duhet të futemi më shumë në zonë dhe duhet të përmirësohemi, por, sidoqoftë, mendoj se skuadra po konkurron mirë dhe kaq”. Videoja u përhap me shpejtësi në internet, ndërsa një postim viral deklaronte: “Maffeo sapo dha intervistën më të mirë në historinë e futbollit dhe nuk është inteligjencë artificiale”. Ky nuk ishte as incidenti i vetëm gjatë pushimit të ndeshjes, pasi edhe lojtarët e Real Madrid janë kritikuar më pas pas një incidenti me punonjësit e sigurisë. Por deklarata e Maffeo ka marrë vëmendjen kryesore.
Maffeo acaba de dar la mejor entrevista de la historia del fútbol y no es IA. https://t.co/zohVTlqidq
— Hugo (@11hxgo) November 7, 2026