Flash

Fajtor po, burg jo/ Fytyra tjetër e SPAK me Benet Becin

Kërkesa e SPAK-ut për ta dënuar Benet Becin pa burg efektiv, pavarësisht mesazheve të raportuara për ndarjen e parave të tenderit, ngre pikëpyetje për kontrastin me ashpërsinë ndaj drejtuesve të opozitës dhe disa ish-zyrtarëve.

16:26

Rrëzimi i kërkesës për shfuqizimin e "Diellës", Kushtetuesja zbardh vendimin

Lapsi.al 9 November 2026

Rrëzimi i kërkesës për shfuqizimin e

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur sot vendimin përfundimtar të 8 tetorit 2026, për rrëzimin e kërkesës së 39 deputetëve të Partisë Demokratike, për shfuqizimin e dy dekreteve që lidhen me ministren virtuale 'Diella'.

Në vendimin e shpallur sot Gjykata sqaron se Diella është një platformë e inteligjencës artificiale dhe jo një funksionar apo organ kushtetues.

 
Deputetët demokratë kishin kundërshtuar nenin 2 të dekretit nr. 331, datë 12 shtator 2025, për emërimin e Kryeministrit, si dhe nenin 1, pika 1, të dekretit nr. 333, datë 15 shtator 2025, për emërimin e Këshillit të Ministrave, në pjesën ku përcaktohet se Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale, “Diella”.

Sipas deputetëve kërkues, përmes këtyre dekreteve Presidenti kishte tejkaluar kompetencat kushtetuese, duke krijuar një strukturë të re ministrore dhe duke i atribuuar kryeministrit përgjegjësi që nuk parashikohen nga Kushtetuta apo ligji. Ata pretendonin gjithashtu cenimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, si dhe të rregullave kushtetuese për emërimin e ministrave.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara nuk kanë karakter normativ, pasi i drejtohen një subjekti konkret, kryeministrit të emëruar, dhe lidhen me një marrëdhënie juridike individuale. Sipas saj, këto përcaktime nuk krijojnë në mënyrë autonome kompetenca apo struktura të reja dhe nuk vendosin rregulla të përgjithshme e abstrakte.

 
Për këtë arsye, Gjykata arriti në përfundimin se dekretet nuk mund t'i nënshtrohen kontrollit abstrakt të kushtetutshmërisë sipas nenit 131, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës.

Një tjetër pretendim lidhej me ndërhyrjen e Presidentit në kompetencat e kryeministrit, Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit. Gjykata vlerësoi se kjo problematikë mund të lidhej me një mosmarrëveshje kushtetuese kompetencash, por arriti në përfundimin se një e pesta e deputetëve nuk legjitimohej për ta vënë në lëvizje Gjykatën mbi këtë bazë, pasi nuk kishte identifikuar cenimin e një kompetence kushtetuese që i përket drejtpërdrejt këtij grupi deputetësh.

Gjykata shqyrtoi gjithashtu pretendimin se “Diella” nuk përmbush kriteret kushtetuese për t'u emëruar ministre. Në këtë drejtim, ajo theksoi se nga dekretet nuk rezulton që Diella të jetë emëruar anëtare e Këshillit të Ministrave apo funksionare e një organi kushtetues.

 
Në një nga konstatimet më të rëndësishme të vendimit, Gjykata e cilëson Diellën si një platformë të inteligjencës artificiale, të organizuar në mënyrë jofrymore, pa personalitet juridik dhe pa zotësi për të vepruar në mënyrë të pavarur. Sipas arsyetimit të saj, platforma shërben si instrument për përpunimin më efikas dhe më të shpejtë të të dhënave në procedurat e prokurimeve publike dhe tenderimeve, me qëllim parandalimin e veprimeve të paligjshme.

Gjykata vendos kufij për përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike

Përtej çështjes konkrete, Gjykata Kushtetuese ka dhënë një sërë konsideratash mbi përdorimin e inteligjencës artificiale nga institucionet publike.

Sipas saj, përdorimi i inteligjencës artificiale nuk mund të ndryshojë rendin kushtetues dhe ligjor të ushtrimit të kompetencave publike. Një sistem teknologjik nuk mund të krijojë, zgjerojë, transferojë apo zëvendësojë kompetencat që Kushtetuta dhe ligji ua njohin organeve dhe funksionarëve shtetërorë.

Gjykata thekson se përdorimi i IA-së në ushtrimin e pushtetit publik duhet të mbështetet në një kuadër juridik të qartë dhe të parashikueshëm, veçanërisht kur rezultatet e saj mund të ndikojnë mbi të drejtat, detyrimet apo interesat juridike të qytetarëve.

Institucionet duhet të garantojnë mbikëqyrjen njerëzore dhe institucionale, sigurinë kibernetike, mbrojtjen e të dhënave personale, mosdiskriminimin dhe parandalimin e paragjykimeve algoritmike. Po ashtu, duhet të ekzistojë mundësia e pezullimit të sistemit në rast rreziku për manipulimin ose komprometimin e të dhënave.

Një tjetër parim i rëndësishëm i evidentuar në vendim është se përgjegjësia për veprimtarinë e ushtruar përmes inteligjencës artificiale mbetet gjithmonë te organi ose funksionari publik të cilit ligji ia ka atribuuar kompetencën. Teknologjia nuk mund të shërbejë si justifikim për shmangien e përgjegjësisë institucionale dhe llogaridhënies.

Mendim paralel: Gjykata nuk duhej të zgjeronte objektin e shqyrtimit

Vendimit i është bashkëlidhur edhe një mendim paralel, në të cilin një prej gjyqtarëve pajtohet me rrëzimin e kërkesës, por shpreh qëndrim të ndryshëm për mënyrën se si shumica e ka arsyetuar vendimmarrjen.

Sipas këtij mendimi, konstatimi se dispozitat e kundërshtuara kanë karakter individual dhe jo normativ ishte i mjaftueshëm për të rrëzuar kërkesën.

Gjyqtari kundërshton zgjerimin e analizës edhe në drejtim të mosmarrëveshjeve të kompetencave dhe zgjedhshmërisë së funksionarëve, duke argumentuar se kërkuesit nuk kishin paraqitur kërkime të tilla.

Në vlerësimin e tij, parimi iura novit curia i jep Gjykatës të drejtën të përcaktojë normën juridike të zbatueshme, por nuk i jep mundësinë të ndryshojë objektin e kërkesës apo të shqyrtojë çështje që nuk janë vënë në lëvizje nga palët.

Ai paralajmëron gjithashtu se kjo mënyrë arsyetimi mund të krijojë probleme për të drejtën e aksesit në Gjykatë në të ardhmen, për shkak të mundësisë së zbatimit të parimit të gjësë së gjykuar (res judicata).

Të këshilluara

ide

Mbi kufinjtë politikë të protestës sociale

E vetmja mënyrë për ta vrarë potencialin e protestës sociale është nëpërmjet llogjikës së vjetër politike se qelbësira në pushtet rrëzohet vetëm me një aleancë të madhe qelbësirash në opozitë

09:48 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

14°c

KËMBIMI EURO

90.77

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI