
Një konflikt i vjetër mes dy të rinjve në Shkodër dyshohet se ka përfunduar në tentativë vrasjeje brenda një kalçetoje. Klaus Fermosi, 25 vjeç, është shpallur në kërkim pasi dyshohet se mbrëmjen e 11 tetorit ka hyrë në ambientet e fushës sportive dhe i ka drejtuar armën Jozefin Ujkës, 26 vjeç.
Sipas të dhënave paraprake, Fermosi ka tentuar ta qëllojë, por arma nuk ka shkrepur. Persona të tjerë që ndodheshin në kalçeto kanë ndërhyrë dhe e kanë larguar 25-vjeçarin nga vendi i ngjarjes. Policia e Shkodrës ka nisur kërkimet për kapjen e tij dhe po punon për dokumentimin e plotë të rastit.
Dy të rinjtë mësohet se kanë qenë dikur shokë të afërt, por rreth pesë vite më parë janë konfliktuar për shkak të një vajze. Përplasja ishte qetësuar pas ndërhyrjes së familjeve, por rreth një vit më parë tensionet mes tyre dyshohet se janë rikthyer. Hetuesit po verifikojnë nëse ky konflikt i hershëm lidhet me ngjarjen e 11 tetorit. Fermosi mbetet në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për motivin dhe rrethanat e plota të incidentit.