
Operacioni i kërkim-shpëtimit për personin e raportuar të zhdukur pas shpërthimit tragjik në pallatin në Elbasan është ndërprerë për arsye sigurie.
Pronari i apartamentit ku dyshohet se nisi shpërthimi, Hamit Ibro 69 vjeç, nuk është gjetur, dhe ekipet e shpëtimit nuk e kanë gjetur ende mes rrënojave.
Ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes kanë vendosur pezullimin e kërkimeve për shkak të rrezikut të lartë që paraqet struktura e dëmtuar e ndërtesës.
Sipas ekspertëve, gjendja e pallatit është jashtëzakonisht e paqëndrueshme dhe çdo ndërhyrje e mëtejshme brenda ambienteve të shembura rrezikon seriozisht jetën e ekipeve të kërkimit.
Fatkeqësisht, nga kjo ngjarje ka humbur jetën një 82-vjeçare teksa 10 persona të tjerë kanë mbetur të lënduar. /LAPSI.al