
Një shtetas turk, 31 vjeç është arrestuar nga Policia Kufitare në Morinë, në tentativë për të hyrë në territorin shqiptar. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, pasi akuzohet për vrasje. Sipas njoftimit të Policisë, bëhet fjalë për shtetasin me inicialet B. K., banues në Turqi, i cili u kap në hyrje të Shqipërisë pas shkëmbimit të informacionit mes Policisë Kufitare Morinë dhe Interpol Tiranës. Nga verifikimet rezultoi se 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet maqedonase, bazuar në një vendim të Zyrës së Prokurorisë Publike në Shkup, të datës 27 tetor 2026.
Njoftimi:
Akuzohet për vrasje në Maqedoninë e Veriut, kapet në tentativë për të hyrë në Shqipëri dhe arrestohet 31-vjeçari, shtetas turk.
Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë kapur në hyrje, shtetasin turk B. K., 31 vjeç, banues në Turqi.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut, për vrasje, bazuar në vendimin e lëshuar më datë 27.10.2026, nga Zyra e Prokurorisë Publike në Shkup.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Kukës kryen procedurat për arrestimin e këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij në Maqedoninë e Veriut. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Maqedoninë e Veriut, vijon procedurat për ekstradimin e tij.