Shqipëria po shkon drejt përshkallëzimit të konfliktit shoqëror dhe këtë nuk po e bën symbyllazi. Por, shikuar nga një kënd tjetër, revolta dhe rruga e aderimit të Shqipërisë në BE nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Revolta ka të bëjë me atë anë të Shqipërisë që negociatat e aderimit në BE ende nuk kanë arritur ta ndryshojnë, anën e pushtetit të personalizuar, anën e ndërlidhjes me krimin e organizuar, anën e shpërlarjes industriale të parave të drogës, anën e korrupsionit si kulturë qeverisëse, një kulturë qeverisëse si rregull e jo përjashtim. Në masën që kërkon institucione të përgjegjshme, drejtësi të pavarur dhe çlirimin e ekonomisë nga kapitali kriminal, revolta takohet me objektivat e integrimit evropian. Kjo përputhje nuk e legjitimon dhunën; e bën të domosdoshme përgjigjen politike evropiane ndaj kërkesave të saj
1.
Kryeministri Rama ka filluar të nxjerrë në publik gurin si simbol të dhunës që e bëjnë demonstruesit kundër shtetit, ndërsa një pjesë e ligjërimit që është i afërt me demonstruesit jep pamjet e shkopit të gomës së policëve si simbol të dhunës së shtetit ndaj demonstruesve. Me këtë krijohet një rreth vicioz në të cilin ligjërimi mbyllet rreth dy kauzave të paraqitura si gjithnjë e më të papajtueshme: policia që mbrohet nga dhuna e demonstruesve dhe demonstruesit që mbrohen nga dhuna e policisë.
Kryeministri ka nxjerrë së bashku me gurin edhe një interpretim të kauzës që sipas mendimit të tij e simbolizon ky objekt që u hidhet policëve në demonstrata. Guri është simboli i kauzës së prodhuar nga armiqtë e Shqipërisë-këso here në radhë të parë të ideologjisë Antifa, Rusisë, pasuar nga Irani- të cilët nuk e duan Shqipërinë në BE, nuk duan turistë në Shqipëri, nuk e duan Shqipërinë e miqësuar me presidentin Trump apo nuk e duan Evropën si tërësi.
Guri, kështu, merr peshën e vet të luftës ideologjike. Ai është i drejtuar kundër një rendi që e ka si kryeministër të zgjedhur Edi Ramën.
Me këtë zhvendosje, kërkesa për largimin e një kryeministri përkthehet në përpjekje për rrëzimin e shtetit. Mbrojtja e pushtetit të tij merr emrin e mbrojtjes së Shqipërisë.
Nëse është kështu, atëherë edhe shkopi i gomës, topi i ujit dhe gazi lotsjellës marrin peshë ideologjike; edhe dhuna fizike ndaj demonstruesve vihet në funksion të mbrojtjes së rendit që ka si kryeministër të zgjedhur Edi Ramën, prej atyre që ligjërimi i kryeministrit i paraqet si instrumente të Antifës, Rusisë dhe Iranit.
EdheKolumne 19 tet 2026Si të kuptohen dy pamje të një ShqipërieNë këtë përkthim ideologjik, protestuesi pushon së trajtuari si qytetar me të cilin shteti ka detyrime dhe fillon të trajtohet si armik prej të cilit shteti duhet të mbrohet.
2.
Një përkufizim i këtillë i gurit dhe shkopit i ka kryesisht dy drejtime të mëtejshme. Një, përkujton ligjërimin e regjimeve socialiste në krizën e tyre të fundit, kur kundërshtimi i brendshëm paraqitej si vepër e armiqve të jashtëm. Dy, e ushqen përshkallëzimin: policët që, pos shpërblimit prej 2.500 eurosh, marrin lëvdata se po e mbrojnë sovranitetin e shtetit nga Antifa, Rusia e Irani, mund ta lexojnë këtë si nxitje për një përballje më të ashpër. Demonstruesve, të damkosur si instrumente të interesave antishqiptare, u ngushtohet hapësira për dialog dhe u shtohet shtysa drejt konfrontimit. Rënia e socializmit ka treguar se përshkallëzimi nuk e pengon rënien e rendit dhe ky mund të jetë mësim për kryeministrin Rama i cili edhe vetë ka marrë pjesë në rrëzimin e një rendi të mëparshëm.
Kryeministri rrit njëkohësisht koston e kundërshtimit për protestuesit dhe koston e tërheqjes për veten. Çdo kompromis rrezikon të duket si humbje në një betejë që ai vetë e ka shpallur mbrojtje të shtetit.
Analogjia nuk është, natyrisht, kopje. Pra, Shqipëria nuk ka një rend të diktaturës njëpartiake. Rendi i vendit është i një demokracie parlamentare, të lirive të shprehjes e lëvizjes, lirisë së protestës, një vendi që është më afër se kurrë anëtarësimit në BE, në masë të madhe falë energjisë së pushtetit, gjegjësisht vetë kryeministrit Rama. Por, rendi i vendit është po ashtu edhe mungesa e kundërpeshës demokratike në shtet, personalizimi i pushtetit të përqendruar në duart e kryeministrit Rama, përfshirja e krimit të organizuar në sistemin financiar e ekonomik të vendit.
Ky bashkim kundërshtish aparente në Hungari u quajt nga Viktor Orban si “demokraci joliberale”.
Rendi i Shqipërisë u ilustrua në kushte kreative me “lëvizjen flamingo” e cila u ngrit kundër vendimeve të personalizuara të kryeministrit për pasurinë kombëtare. Protestat treguan se qytetarët e Shqipërisë kanë të drejtë të shprehen por pushteti nuk ndihet i obliguar t’i dëgjojë; qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë drejtësi, por sistemi nuk ndihet i obliguar që të adresojë padrejtësinë.
Funksionimi i sistemit, në fakt, është i ndërtuar mbi një padrejtësi: një Parti pa mendim ndryshe, një Parlament ku opozita nuk përbën kundërpeshë efektive të ekzekutivit, një sistem financiar, ekonomik dhe social i çoroditur nga shpërlarja industriale parash nga trafiku ndërkombëtar i drogës, një kryeministër i cili vendos se kush është investitor strategjik në vend, kush merr leje ndërtimi, kush është arkitekti, cili është projekti, dhe që me ligjërimin e vet përcakton se kush shihet si qytetar që proteston e kush si armik që duhet mposhtur. Ç’është e vërteta, padrejtësia nuk është prodhim i një njeriu, ajo është e ndërtuar me tumirjen disavjeçare të heshtur të shumicës, qoftë për shkak të kulturës konsensuale të korrupsionit, qoftë për shkak të paaftësisë së opozitës për ta kundërshtuar apo për shkak të përkrahjes ndërkombëtare që, duke e trajtuar qeverinë si garantuese të stabilitetit dhe integrimit evropian, ka lënë në hije përqendrimin e personalizuar të pushtetit.
Kryeministri Rama u tall me “lëvizjen flamingo” dhe jo pak njerëz në BE u zbavitën me imitimet që ai pretendonte se u bënte protestuesve të kësaj lëvizjeje. Pas verës së talljeve erdhi vjeshta e gurit.
3.
Shqipëria po shkon drejt përshkallëzimit të konfliktit shoqëror dhe këtë nuk po e bën symbyllazi. Ligjërimi gjithnjë e më i acaruar i kryeministrit Rama pasqyron besimin se represioni do ta shuajë revoltën që injorimi dhe tallja nuk arritën ta shuanin. Kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit, qoftë nga “flamingot”, gurhedhësit apo Sindikata e pedagogëve, nuk përbën zgjidhje të konfliktit; është pjesë e tij. Dorëheqja e kryeministrit Rama nuk sjell vetvetiu vendosjen e demokracisë liberale, largimin e krimit të organizuar nga ekonomia dhe financat, apo rikthimin e së drejtës së qytetarit për të vendosur për të mirat publike.
Vendi dhe miqtë e tij euroatlantikë kanë nevojë ta trajtojnë këtë krizë në potencialin e vet. Dhe, për ta bërë këtë, mbase mund të merren parasysh edhe këto tri sugjerime.
Një, guri dhe shkopi duhet të trajtohen pa simbolizëm ideologjik. Hedhësit e gurit nuk janë agjentë të huaj, janë shqiptarë të revoltuar dhe guri do t’u hiqet duarve kur të adresohen çështjet që u ngritën në verë, para se të hidhej guri. Policia ka për detyrë të zbatojë ligjin, qoftë Edi Rama apo kushdo tjetër kryeministër. Ajo ka për detyrë të sigurojë rend bazik, të mbrojë qytetarët dhe pronën private e publike.
Dy, guri dhe shkopi nuk do ta mundin njëri-tjetrin. Hedhësit e gurëve nuk do ta zhbëjnë detyrimin e policisë për të mbrojtur rendin juridik; policia me shkopinj e topa uji nuk do ta zbrapsë revoltën.
Tre, shikuar nga një kënd tjetër, revolta dhe rruga e aderimit në BE nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Revolta ka të bëjë me atë anë të Shqipërisë që negociatat e aderimit në BE ende nuk kanë arritur ta ndryshojnë, anën e pushtetit të personalizuar, anën e ndërlidhjes me krimin e organizuar, anën e shpërlarjes industriale të parave të drogës, anën e korrupsionit si kulturë qeverisëse, një kulturë qeverisëse si rregull e jo përjashtim. Në masën që kërkon institucione të përgjegjshme, drejtësi të pavarur dhe çlirimin e ekonomisë nga kapitali kriminal, revolta takohet me objektivat e integrimit evropian. Kjo përputhje nuk e legjitimon dhunën; e bën të domosdoshme përgjigjen politike evropiane ndaj kërkesave të saj.
4.
Kriza e tanishme e pushtetit në Shqipëri është ndeshja mes legalitetit dhe legjitimitetit. Qeveria e tanishme është aty legalisht, me një shumicë votash të fituara në zgjedhje parlamentare. Por, problemi i kësaj qeverie dhe qeverisje nuk është vetëm mungesa e besimit në drejtësinë e procesit zgjedhor; edhe po të kishin qenë zgjedhjet krejtësisht të ndershme, hetimet dhe çështjet e ngritura nga SPAK-u kanë vënë në diskutim mënyrën e ushtrimit të pushtetit dhe kanë nxjerrë në pah dyshime serioze për korrupsion në nivele të larta. Përgjegjësia penale përcaktohet individualisht nga drejtësia; përgjegjësia politike për mënyrën e qeverisjes nuk mund të shtyhet deri në përfundimin e çdo gjykimi. Shumica parlamentare i jep qeverisë mundësinë ligjore për të vazhduar. Por ajo nuk mjafton për të zgjidhur krizën e besimit në mënyrën se si ushtrohet pushteti.
Dhe, kjo është tashmë sprova e pjekurisë së vendit, që të gjejë formën e një tranzicioni drejt një legaliteti e legjitimiteti të ri qeverisës. Rruga e tranzicionit duhet të jetë pjesë e dialogut shoqëror dhe pjesë e këtij dialogu duhet të jenë kryeministri Rama dhe ata që në rrugë kërkojnë dorëheqjen e tij.
