Flash

Kamberi: Të hapur për bashkëpunim me Listën Studentore Serbe, por...

“Koha që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të barabartë”, thotë deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një intervistë për DW pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi dhe fitores së Listës Studentore.

Idro Seferi 28 October 2026

Kamberi: Të hapur për bashkëpunim me Listën Studentore

DW: Z. Kamberi, koalicioni i shqiptarëve të Luginës së Preshevës fitoi dy mandate në Kuvendin e Serbisë, ndonëse mund të fitonte edhe mandatin e tretë. A jeni të kënaqur me këtë rezultat dhe me pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhje? Sa ndikoi bashkimi i partive shqiptare në një listë të përbashkët dhe çfarë mund të ishte bërë ndryshe për të arritur një rezultat më të mirë?

Shaip Kamberi: Dy mandatet e fituara janë një rezultat që na mundëson të vazhdojmë përfaqësimin politik të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë. Megjithatë, fakti që ishim afër mandatit të tretë tregon se ekzistonte potencial për një rezultat edhe më të mirë. Prandaj, rezultatin duhet ta vlerësojmë me përgjegjësi, pa e nënvlerësuar atë që kemi arritur, por edhe pa i anashkaluar mundësitë që nuk i kemi shfrytëzuar plotësisht.

Bashkimi i tetë partive shqiptare në një listë të përbashkët ishte një hap i rëndësishëm politik. Ai dëshmoi se, përtej dallimeve dhe mospajtimeve tona, mund të pajtohemi rreth interesave të përbashkëta. Ky bashkim na mundësoi t'i përqendronim votat dhe ta paraqisnim një platformë të përbashkët politike. Sa i përket pjesëmarrjes, duhet të analizojmë me kujdes rezultatet e arritura dhe të shohim potencialet e pa shfrytëzuara, gjithmonë duke pasur parasysh edhe pasojat e pasivizimit të adresave që ka shlyuer një numër të konsiderueshëm të qytetarëve tanë. Ajo që mund të bëhej ndryshe është një mobilizim edhe më i madh qytetar dhe përfshirje më e mirë e shqiptarëve që jetojnë jashtë Luginës. Bashkimi nuk duhet të jetë vetëm një marrëveshje zgjedhore, por një proces i qëndrueshëm politik që vazhdon edhe pas zgjedhjeve.

DW: Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë dukur më pak të përfshirë në protestat studentore të dy viteve të fundit sesa disa komunitete të tjera në Serbi. Çfarë domethënieje ka për shqiptarët rezultati i Listës Studentore dhe a ndani pritshmëritë për ndryshim që ky zhvillim ka ngjallur te një pjesë e shoqërisë serbe?

Shaip Kamberi: Zhvillimet politike në Serbi kanë rëndësi edhe për shqiptarët, sepse ne jetojmë në këtë shtet dhe vendimet e institucioneve të tij ndikojnë drejtpërdrejt në jetën tonë. Prandaj, çdo zhvillim që hap mundësi për më shumë demokraci, përgjegjësi institucionale dhe sundim të ligjit, përafrim me BE dhe sidomos shkëputjen definitive me platformat politike të viteve 90-të, meriton të ndiqet me vëmendje.

Protestat studentore kanë artikuluar kërkesa që lidhen me funksionimin e institucioneve, përgjegjësinë publike dhe respektimin e ligjit. Këto janë çështje me rëndësi edhe për shqiptarët, të cilët prej dekadash kërkojnë që parimet e deklaruara të barazisë dhe të shtetit ligjor të zbatohen edhe në praktikë, kërkesa këto të cilat janë injoruar nga Beogradi zyrtar edhe pse kemi katër marrëveshje të nënshkruara.

Megjithatë, duhet bërë dallimi mes kërkesës për ndryshim politik në nivel të përgjithshëm dhe ndryshimit konkret të pozitës së një komuniteti kombëtar. Një Serbi më demokratike sigurisht që krijon mundësi për përmirësim, por kjo nuk do të thotë automatikisht se do të zgjidhen problemet e shqiptarëve.

Për ne, ndryshimi do të bëhet i prekshëm kur barazia të mos mbetet vetëm një parim kushtetues, por të shihet në arsim, punësim, përfaqësim institucional, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe simbolit kombëtar, njohjen e diplomave dhe eliminimin e praktikave diskriminuese, sidomos ndërprerjen e pasivizimit dhe eliminimin e pasojave të tij. Këto janë kriteret me të cilat do ta vlerësojmë çdo ndryshim politik në Serbi.

DW: Sipas jush, cilët faktorë ndikuan më shumë në dobësimin e mbështetjes për kampin politik të Aleksandar Vuçiqit dhe çfarë mund të nënkuptojë kjo për të ardhmen politike të vendit?

Kamberi: Ky zhvillim duhet parë në kontekstin e pakënaqësisë më të gjerë me mënyrën se si funksionon pushteti në Serbi. Kur qytetarët shohin se institucionet nuk ofrojnë përgjegjësi të mjaftueshme, se kontrolli mbi pushtetin është i dobët dhe se kritika shpesh trajtohet si kundërshtim ndaj shtetit, e kjo mandej artikulohet me shpalljen e armiqëve imagjinarë, krijohet një distancë mes qytetarëve dhe qeverisjes.

Protestat studentore e kanë bërë më të dukshme këtë pakënaqësi dhe kanë treguar se një pjesë e shoqërisë serbe kërkon një model tjetër të funksionimit të shtetit. Megjithatë, do të ishte e parakohshme që çdo pakënaqësi ndaj pushtetit ta interpretonim si një ndryshim të përfunduar politik. Rëndësi ka nëse kërkesat qytetare do të shndërrohen në institucione më funksionale, përgjegjësi politike dhe alternativa të besueshme, sidomos nëse ky rezultat zgjedhor do të përdoret për përshpejtimin e rrugës, do të kisha dashur, evro-atlantike të Serbisë.

Për shqiptarët, rëndësi ka që ndryshimi të mos kufizohet vetëm te ndërrimi i njerëzve në pushtet. Ne kemi përvojën tonë historike dhe e dimë se ndërrimi i qeverive nuk garanton vetvetiu ndryshimin e politikave ndaj pakicave kombëtare. Në 36 vitet e sistemit shumëpartiak në Serbi kemi parë opsione të ndryshme politike, por, asnjëri prej tyre, në të vërtetë, nuk ka dëshmuar politika afirmative ndaj pakicave kombëtare.

Prandaj, pyetja thelbësore për të ardhmen e Serbisë nuk është vetëm se kush do ta qeverisë vendin, por nëse do të ndryshojë mënyra se si ushtrohet pushteti dhe nëse institucionet do t'i trajtojnë të gjithë qytetarët me standarde të barabarta. Pikërisht këtu do të matet rëndësia e çdo ndryshimi politik. Kjo është me rëndësi për pakicat. Është me rëndësi edhe për shqiptarët. Por, e të njëjtës rëndësi është edhe për të ardhmen e vet Serbisë. Do të kemi progres, apo reciklim të platformave të vjetra politike, është thelbi i çështjes.

DW: Në protestat studentore kanë qenë aktivë edhe pjesëtarë të komunitetit boshnjak, çka ka krijuar përshtypjen e një afrimi më të madh mes të rinjve nga komunitete të ndryshme etnike. A keni pasur kontakte me përfaqësues të Listës Studentore dhe a mendoni se ky afrim mund të ndodh me shqiptarët?

Kamberi: Afrimi mes të rinjve nga komunitete të ndryshme është një zhvillim që duhet inkurajuar. Fakti që njerëz me përkatësi të ndryshme kombëtare mund të bashkohen rreth kërkesave për demokraci, drejtësi dhe përgjegjësi institucionale dëshmon se ekziston hapësirë për tejkalimin e paragjykimeve dhe ndarjeve të trashëguara.

Por afrimi i vërtetë nuk mund të ndërtohet vetëm mbi pjesëmarrjen në protesta ose mbi kërkesa të përgjithshme. Ai kërkon gatishmëri për t'i kuptuar edhe problemet specifike me të cilat përballen komunitetet joshumicë.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë një përvojë të veçantë me institucionet e Serbisë. Për këtë arsye, ne nuk mund të presim që çështjet tona të zgjidhen vetvetiu përmes një ndryshimi të përgjithshëm politik. Nevojitet dialog i drejtpërdrejtë dhe gatishmëri për të diskutuar problemet që prej vitesh presin zgjidhje.

Sa u përket kontakteve me përfaqësuesit e Listës Studentore, rëndësi ka që komunikimi politik të zhvillohet mbi një bazë konkrete dhe të vazhdojë përtej deklaratave publike. Unë nuk do ta përjashtoja apriori një bashkëpunim të tillë. Nëse ekziston gatishmëri për dialog serioz dhe për trajtimin e kërkesave tona, ka hapësirë për të ndërtuar një marrëdhënie të re politike.

Bashkëjetesa nuk kërkon që të gjithë të mendojmë njësoj. Ajo kërkon që dallimet të mos shndërrohen në pabarazi dhe që të drejtat e askujt të mos varen nga përkatësia kombëtare.

DW: Lista Studentore përfshin përfaqësues me bindje dhe qëndrime të ndryshme politike. A shihni te ky subjekt hapësirë për një qasje të re ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës? Çfarë do t'ju bindte se kjo listë është e gatshme t'i trajtojë seriozisht kërkesat e shqiptarëve?

Kamberi: Nuk do të ishte korrekte që Listën Studentore ta gjykoja vetëm nga përbërja e saj ose nga fakti se aty ka njerëz me bindje të ndryshme politike. Ajo duhet të vlerësohet mbi qëndrimet që mban dhe, sidomos, mbi politikat që është e gatshme të mbështesë.

Deklarata se synohet një Serbi demokratike dhe e barabartë për të gjithë është një pikënisje, por nuk mjafton. Edhe shqiptarët kanë dëgjuar për shumë vite deklarata për barazi, integrim dhe respektim të të drejtave, ndërkohë që shumë prej problemeve tona vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.

Ajo që do të na bindte është gatishmëria për të diskutuar konkretisht Planin 7-pikësh, i cili përmbledh kërkesat tona politike. Ai përfshin çështje që lidhen me diskriminimin institucional, pasivizimin e adresave të banimit, përfaqësimin e drejtë në institucionet shtetërore, arsimin, përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip, njohjen e diplomave dhe zhvillimin ekonomik të Luginës. Kërkojmë gatishmëri për dialog serioz, njohje të problemeve dhe vullnet politik për të ndërtuar zgjidhje të zbatueshme.

Për mua, ky është dallimi mes një qasjeje të re dhe vazhdimësisë së politikave të vjetra. Qasja e re nuk matet vetëm me mënyrën se si flitet për shqiptarët, por me gatishmërinë për t'i trajtuar ata si qytetarë me të drejta të plota dhe si partnerë politikë legjitimë.

Për dekada me radhë, qasja e institucioneve të Serbisë ndaj kërkesave politike të shqiptarëve është karakterizuar nga përpjekje për t'i diferencuar dhe për t'i ndarë ata në kategori të ndryshme, duke i etiketuar disa si "shqiptarë të ndershëm” e të tjerët si "separatistë”.

Marrëveshja e tetë subjekteve politike shqiptare për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare dëshmon se dallimet politike nuk e zbehin aftësinë tonë për t'u bashkuar rreth interesave të përbashkëta. Ky unitet duhet të shërbejë si një mundësi për një qasje të re, të bazuar në dialog, respekt të ndërsjellë dhe njohjen e kërkesave tona legjitime.

Është koha që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të barabartë, pa paragjykime dhe pa ndarje të imponuara, ndërsa çështjet e tyre të adresohen përmes zgjidhjeve institucionale dhe në përputhje me standardet demokratike.

DW: Përfaqësuesit e Listës Studentore deklarojnë se synojnë një Serbi të barabartë për të gjithë qytetarët. Cilat hapa konkret duhet të ndërmerren për ta kthyer këtë deklaratë në politika dhe rezultate të prekshme për shqiptarët e Luginës së Preshevës? Cilat janë çështjet më urgjente që duhet të adresojë qeveria e ardhshme e Serbisë për të garantuar barazi dhe për të ndërtuar besimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore?

Kamberi: Nëse deklarata për një Serbi të barabartë për të gjithë qytetarët është një platformë politike serioze, ajo duhet të përkthehet në vendime konkrete dhe në mekanizma që garantojnë zbatimin e tyre. Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, kjo nuk është një çështje abstrakte, por një problem që lidhet me jetën e përditshme, perspektivën e të rinjve dhe besimin te institucionet.

Së pari, duhet të trajtohet çështja e pasivizimit të adresave të banimit. Kjo praktikë ngre shqetësime serioze për të drejtat e qytetarëve dhe për mundësinë e ushtrimit efektiv të tyre. Pasivizimi na penalizoi edhe në këto zgjedhje. Nevojiten transparencë, shqyrtim individual i rasteve dhe mundësi efektive ankese e korrigjimi, në përputhje me ligjin.

Duhet të sigurohet përfaqësim i drejtë i shqiptarëve në institucionet shtetërore, veçanërisht në polici, gjyqësor, administratë dhe shërbimet publike. Barazia nuk mund të matet vetëm me atë që thotë ligji, por edhe me praninë reale të shqiptarëve në institucionet që marrin vendime dhe ofrojnë shërbime.

Duhet të zgjidhen pengesat në arsim, përfshirë njohjen e diplomave të fituara në Kosovë dhe sigurimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Përdorimi zyrtar i gjuhës dhe shkrimit shqip, si dhe përdorimi i simboleve kombëtare në përputhje me standardet përkatëse ligjore, duhet të trajtohen si çështje të të drejtave të garantuara, jo si favore politike.

Lugina ka nevojë për politika konkrete zhvillimore: investime, vende pune, infrastrukturë dhe mundësi që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vendlindjen e tyre. Të gjitha këto arrihen me fond të veçantë zhvillimor. Për këto çështje kemi propozuar një platformë të përmbledhur në Planin 7-pikësh (dokument politik dhe platformë për masa urgjente, e miratuar në mars të vitit 2013 nga përfaqësuesit dhe Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës v.j.). Ai duhet të shërbejë si bazë për dialogun me qeverinë e ardhshme dhe me të gjitha forcat politike që pretendojnë të ndërtojnë një shtet demokratik.

Besimi nuk mund të kërkohet vetëm me deklarata. Ai fitohet kur qytetarët shohin se institucionet i dëgjojnë, i trajtojnë me dinjitet dhe i zgjidhin problemet e tyre. Për shqiptarët, prova e një Serbie të barabartë do të jetë zbatimi i barazisë në praktikë.

DW: Si e vlerësoni qasjen e Listës Studentore ndaj Kosovës, shqiptarëve dhe bashkëpunimit rajonal? Çfarë prisni nga përfaqësuesit e saj në këtë drejtim dhe cili do të ishte mesazhi juaj për ta, nëse vërtetë duan të ndërtojnë një Serbi me marrëdhënie më të mira me fqinjët dhe me komunitetet joshumicë?

Kamberi: Marrëdhëniet me Kosovën dhe me shqiptarët në rajon janë një tregues i rëndësishëm i gatishmërisë së Serbisëpër të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me fqinjët dhe për të kapërcyer konfliktet e së kaluarës.

Për Listën Studentore dhe për çdo forcë të re politike në Serbi, çështja nuk duhet të jetë vetëm nëse dëshiron marrëdhënie më të mira me fqinjët, por edhe se mbi cilat parime synon t'i ndërtojë ato. Marrëdhëniet e qëndrueshme nuk mund të ndërtohen mbi mohimin e realiteteve politike, stereotipet kombëtare apo idenë se problemet mund të zgjidhen duke i shmangur ato.

Për ne, është me rëndësi që Kosova të trajtohet si një partner me të cilin duhet të ndërtohen marrëdhënie normale, përmes dialogut, respektit të ndërsjellë dhe zbatimit të marrëveshjeve. Po aq e rëndësishme është që shqiptarët që jetojnë në Serbi të mos shihen si çështje e dorës së dytë, por si qytetarë me të drejta të garantuara dhe kërkesa legjitime për barazi.

Unë do të prisja që përfaqësuesit e Listës Studentore të tregojnë se demokracia për të cilën angazhohen brenda Serbisë vlen edhe për mënyrën se si shteti i trajton shqiptarët dhe komunitetet e tjera joshumicë. Nuk mund të kërkojmë standarde demokratike për vete dhe të jemi indiferentë ndaj mungesës së tyre ndaj të tjerëve. Politika e standardeve të dyfishta duhet të marrë fund.

Mesazhi im për ta do të ishte i thjeshtë: nëse synoni një Serbi demokratike, të përgjegjshme dhe me marrëdhënie më të mira rajonale, atëherë përfshijeni edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vizionin tuaj për ndryshim.

Ne jemi të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim, por jo për një bashkëpunim simbolik. Duam që ai të mbështetet në parime, në angazhime konkrete dhe në rezultate të matshme. Plani 7-pikësh mund të jetë një bazë për këtë dialog. Postet qeveritare nuk na joshin. Kemi dëshmuar për 36 vite për këmbëngulësinë tonë në këto parime.

DW: Megjithatë, nëse do t'ju ofrohej mundësia të bëheshit pjesë e qeverisë së Serbisë ose e ndonjë institucioni shtetëror, a do ta shqyrtonit një mundësi të tillë?

Kamberi: Për mua, kjo çështje nuk është e re dhe qëndrimi im është i qartë. Nuk kam hyrë në politikë për të siguruar një post qeveritar dhe as nuk e konsideroj pjesëmarrjen në qeveri si qëllim në vetvete.

Përgjatë tri mandateve parlamentare, angazhimi im ka qenë përfaqësimi i shqiptarëve dhe ngritja e çështjeve të tyre në institucionet e Serbisë. Kam besuar se përfaqësimi politik ka kuptim vetëm nëse përdoret për të kërkuar zgjidhje për problemet e qytetarëve, edhe atëherë kur këto kërkesa nuk i përshtaten shumicës parlamentare. Por, sa herë që flas për mundësinë e përfshirjes së shqiptarëve në qeveri, asnjëherë nuk mendoj për vete.

Prandaj, nuk do ta reduktoja çështjen në pyetjen nëse do të pranojmë një post, por në atë se çfarë do të duhej të ndryshonte politikisht dhe institucionalisht që një pjesëmarrje e tillë të kishte kuptim.

Nuk jemi të interesuar për një post që do të shërbente vetëm si dëshmi e përfshirjes virtuale të shqiptarëve në qeveri, ndërkohë që kërkesat e tyre politike do të mbeteshin të paprekura. Përfaqësimi pa ndikim real në vendimmarrje rrezikon të shndërrohet në dekor. Shihni se çfarë ndodhi me listat e disa pakicave, që, për vite, i shërbyen dekor regjimit të Vuçiqit.

Prioriteti ynë është realizimi i kërkesave politike të shqiptarëve, të përmbledhura në Planin 7-pikësh, dhe jo sigurimi i posteve qeveritare. Çdo bashkëpunim politik duhet të vlerësohet në raport me këtë qëllim.

Nuk e përjashtoj dialogun me forcat politike që synojnë ndryshime demokratike. Por, nëse flasim për bashkëpunim, ai duhet të ndërtohet mbi një program, mbi përgjegjësi të ndërsjellë dhe mbi gatishmërinë për t'i trajtuar seriozisht kërkesat tona.

Shaip Kamberi është jurist i diplomuar. Për shumë vite ka punuar si gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut. Me origjinë është nga Tërnovci i Madh i Bujanocit, fshati më i madh në Serbi, i cili ndodhet në Luginën e Preshevës apo jugun e Serbisë. Ka qenë deputet për disa mandate. /DW

Të këshilluara

Vrasja në Ekuador/ Aktivistja polake, dosjet e zhdukura dhe mafia shqiptare

Më 8 qershor, Monika Silva-Koniuszek u vra në Ekuador. Pasi siguroi një hard disk që përmbante dokumente të mbledhura nga aktivistja polake, BIRN zbuloi një rrjet kompanish të lidhura me banda shqiptare, të cilat dyshohet se përdoreshin për pastrimin e parave nga trafiku i drogës.

20:28 Szymon Opryszek

ide

Jo dhunës, po organizimit!

Ajo që i duhet protestës sociale sot, më shumë se dhuna, është organizmi i një fronti të gjerë anti-sistem që bën bashkë përfaqësues të grupimeve të ndryshme sociale që emërues të përbashkët kanë pakënaqësinë me funksionimin e regjimit aktual politik dhe ekonomik. Ky front, që mund të quhet Fronti Flamingove, duhet të ketë përfaqësues nga studentët, pedagogët, ambientalistët, shoqëria civile, partitë e reja politike siç është Lëvizja Bashkë, punëtorët, fermerët dhe përfaqësues të komuniteteve të cilave po u grabiten tokat nëpërmjet modeleve të turizmit elitar

15:10 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

90.84

aktuale

Zbulohen prapaskenat pse u rritën papritmas taksat, biznesi paralajmëron eksod në rajon

Situata politike që po kalon vendi pas protestave të studentëve vlerësohet faktori kryesor që ka detyruar qeverinë të propozojë ndryshime të papritura të taksave, përfshirë uljen e TVSH-së në 6% të produkteve të shportës ushqimore dhe rritjen për biznesin. Në mbledhjen e Këshillit Tatimor përfaqësuesi i qeverisë pranoi se propozimet për ulje të TVSH-së për […]

06:57
Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Zbulohen prapaskenat pse u rritën papritmas taksat, biznesi paralajmëron eksod në rajon

Situata politike që po kalon vendi pas protestave të studentëve vlerësohet faktori kryesor që ka detyruar qeverinë të propozojë ndryshime të papritura të taksave, përfshirë uljen e TVSH-së në 6% të produkteve të shportës ushqimore dhe rritjen për biznesin. Në mbledhjen e Këshillit Tatimor përfaqësuesi i qeverisë pranoi se propozimet për ulje të TVSH-së për […]

06:57

Me sytë katër

PAPARAZZI