
E ardhmja e Izraelit varej në fije të perit të mërkurën, teksa u bë e qartë se Benjamin Netanyahu kishte humbur shumicën qeverisëse. Fati i tij politik tani varet nga përgatitja e partive hebraike të opozitës për të krijuar një front të përbashkët me partitë palestineze, mbështetja e të cilave u rrit ndjeshëm në zgjedhjet e së martës.
Udhëheqësi i bllokut opozitar hebre, gjenerali në pension Gadi Eisenkot, duket se e përjashtoi një koalicion kaq të gjerë në një deklaratë të parakohshme fitoreje brenda natës për atë që ai e quajti një "shumicë sioniste".
Kur numërimi i votave vazhdonte të mërkurën, parashikimet fillestare të sondazheve se blloku i Eisenkotit do të kishte një epërsi të ngushtë ndaj koalicionit të Netanyahut u vunë gjithnjë e më shumë në dyshim, teksa blloku i kryeministrit ecte përpara, me votat e ushtarëve të vendosur dhe fletëvotimeve të tjera të dërguara me postë - rreth 14% e elektoratit të përgjithshëm - që ende nuk janë numëruar plotësisht.
Me 86% të votave të numëruara, të dy blloqet hebraike duken të sigurta se nuk do të arrijnë dot 61 vendet në Knesset, të nevojshme për një qeveri shumice, duke e lënë Eisenkotin dhe aleatët e tij përballë një zgjedhjeje të qartë: ose të bëjnë një pakt me partitë arabo-izraelite që kanë marrë një rezultati rekord prej 16-19 vendesh, ose t’i jepnin Netanyahut një litar shpëtimi politik në formën e zgjedhjeve të reja ose një qeverie uniteti.
Të mërkurën në mbrëmje, Netanyahu reagoi ndaj pjesëmarrjes së lartë palestineze dhe suksesit të partive arabo- izraelite duke pretenduar se ato kishin “vjedhur zgjedhjet”. Ai nuk ofroi prova, por shkroi në X se partia e tij “Likud” kishte dërguar “qindra dëshmi dhe prova” në komitetin qendror të zgjedhjeve dhe agjencinë e sigurisë së brendshme Shin Bet.
Të dyja këto agjenci janë politizuar nën qeverinë e Netanyahut. Komiteti Zgjedhor kishte kërkuar të ndalonte partitë arabo-izraelite para zgjedhjeve, por përpjekja për t'i përjashtuar ato u rrëzua nga gjykata supreme e vendit.
Donald Trump mori përsipër meritat për performancën më të mirë se sa pritej të Netanyahut, duke pretenduar se mbështetja e tij e hapur në prag të zgjedhjeve kishte bërë diferencën. "Kur u dha mbështetja, kjo e ndihmoi shumë", tha Trump, duke shtuar se rezultati dukej se po shkonte drejt një bllokimi ose një fitoreje të Netanyahut.
Yair Golan, udhëheqësi i Demokratëve të qendrës së majtë, një partner i vogël në bllokun “Ndryshim” të Eisenkotit, i kërkoi këtij të fundit të negociojë me dy partitë palestineze, Listën e Përbashkët dhe Ra'am (Lista e Bashkuar Arabe).
“Nuk kemi të ardhme nëse nuk ndalojmë së frikësuari. Dhe nëse nuk i japim fund racizmit. Nuk mund ta pranojmë më dallimin racist të Netanyahut midis votave hebraike dhe arabe”, shkroi Golan në X.
“Kushdo që përpiqet të fshijë votat e qytetarëve arabë po i dorëzohet Netanyahut dhe po heq dorë nga Izraeli”, - shtoi ai, duke theksuar se Netanyahu mbështetej te partitë ultra-ortodokse hebraike që nuk ishin sioniste dhe kundërshtonin rekrutimin ushtarak për zgjedhësit e tyre.
Noa Landau, një komentuese që shkruan në “Haaretz”, argumentoi se duke e bërë sionizmin provën për formimin e një koalicioni, duke përjashtuar partnerët e mundshëm, ndërsa kryeministri nuk e kishte bërë, Eisenkot kishte rënë “në kurthin që Netanyahu i ngriti gjatë fushatës zgjedhore”.
Udhëheqësi i “Listës së Përbashkët”, Yousef Jabareen, tha se performanca e saj e fortë nënkuptonte se “nuk mund të injorohet në asnjë skenar politik”. Ai tha se qeveria e Netanyahut, veçanërisht ministri i saj ekstremist i sigurisë kombëtare, Itamar Ben-Gvir, “ia ka bërë jetën të hidhur çdo qytetari arab”.
“Ne do të jemi të gatshëm të hapim rrugën për të rrëzuar qeverinë e Netanyahut, Ben-Gvir dhe Smotrich – dhe t’i dërgojmë ata në shtëpi”, - tha Jabareen. Një tjetër zyrtar i Listës së Përbashkët e përshkroi zgjedhjen me të cilën përballet opozita hebraike si “supremaci ose ndërtim demokracie”.
Numërimi i të gjitha votave mund të zgjasë edhe disa ditë, me fletët e votimit në mungesë që numërohen të fundit. Shumica e tyre janë nga ushtarët e dislokuar. Vota e ushtrisë zakonisht anon nga e djathta, por kjo pamje e përgjithshme mund të ndërlikohet nga fakti se shumë rezervistë më të vjetër dhe më të moderuar janë tani në detyrë aktive.
Pasi të llogariten të gjitha votat, do të jetë detyrë e presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, t'i japë njërit prej udhëheqësve të partisë 6 javë kohë për të formuar një qeveri. Nëse zgjedhja e parë dështon, mundësia i kalon rivalit të tyre. Në javët e grindjeve politike që ka të ngjarë të pasojnë, si Netanyahu ashtu edhe Eisenkot pritet të joshin dezertorët nga kampet e njëri-tjetrit.
Netanyahu do të mbetej në detyrë në një cilësi të përkohshme derisa të formohet një shumicë e re. Ai mund të presë të përfitojë nëse bllokimi çon në një raund tjetër zgjedhjesh. Dhjetëra mijëra izraelitë nga diaspora që u kthyen për të votuar të martën dhe që kryesisht ishin kundër koalicionit qeverisës, mund të mos kthehen për një palë zgjedhje të tjera.
Partitë palestineze dhe qendra e majtë hebraike i kanë kërkuar opozitës të përqendrohet në gjetjen e një kauze të përbashkët në Knesset, duke zëvendësuar kryetarin e parlamentit dhe duke ndjekur legjislacionin për të cilin fraksionet mund të bien dakord, siç është urdhërimi i një shqyrtimi të pavarur të dështimeve të sigurisë që çuan në sulmin e 7 tetorit nga Hamasi në vitin 2023.
Të mërkurën, Herzog u bëri thirrje të gjitha partive të mbajnë një “mendje të hapur” në përpjekjen për të ndërtuar një koalicion të ri qeveritar.
“Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi, sigurisht pas së djeshmes, për të shmangur një raund tjetër zgjedhjesh”, tha ai.
Zgjedhjet ndodhën në mes të luftës së Izraelit në Gaza – mezi u përmendën gjatë fushatës, pavarësisht faktit se Izraeli është akuzuar për kryerjen e gjenocidit në Gaza dhe spastrimit etnik në Bregun Perëndimor, dhe Netanyahu kërkohet nga gjykata ndërkombëtare penale për krime të dyshuara lufte.
Një komision i OKB-së me ekspertë të të drejtave të njeriut raportoi të hënën se Izraeli kishte vazhduar të kryente akte gjenocidale kundër civilëve palestinezë në Gaza pas shpalljes së armëpushimit në tetor 2025. Që atëherë, 1,431 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite, përfshirë 300 fëmijë.
Raporti, nga Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit mbi Territorin e Pushtuar Palestinez, tha: “Autoritetet dhe forcat izraelite vazhdojnë të kryejnë akte gjenocidale me qëllim gjenocidal për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, palestinezët në Gaza.”
Ambasadori i Izraelit në OKB, Daniel Meron, e hodhi poshtë raportin si një “përpjekje për të shkatërruar shtetin hebre” dhe “për të minuar legjitimitetin e Izraelit dhe për të mohuar të drejtën e tij themelore për të ekzistuar dhe për të mbrojtur veten”.
Eisenkot dhe pjesa më e madhe e bllokut të tij mbështesin luftën në Gaza dhe kërkuan që zgjedhjet të ishin një referendum për Netanyahun. Pjesëmarrja në votime ishte gati 78%, më e larta që nga viti 1999, me një rritje të ndjeshme të numrit të ushtarakëve në detyrë që votuan.
Bllokimi politik ka çuar në votime të përsëritura në të kaluarën. Midis viteve 2019 dhe 2022, Izraeli zhvilloi 5 palë zgjedhje.
Netanyahu është kryeministri më jetëgjatë i Izraelit, duke qeverisur për 19 nga 30 vitet e fundit, dhe mbijetuesi më i palëkundur politik i tij. I përfshirë në një gjyq të gjatë për korrupsion, ai dhe koalicioni i tij i ekstremit të djathtë kishin ushqyer frikë ksenofobike dhe kishin sugjeruar se Izraeli do të ishte i prekshëm ndaj një sulmi bërthamor pa të.
Fushata, e ethshme edhe sipas standardeve izraelite, përfshinte Netanyahun që postoi një fotografi të një shpërthimi bërthamor që shkatërronte Tel Avivin në prag të hapjes së qendrave të votimit.
Që nga sulmi vdekjeprurës i nisur nga Hamasi ndaj komuniteteve jugore të Izraelit më 7 tetor 2023, Izraeli ka shkatërruar Gazën dhe ka vrarë më shumë se 74,000 palestinezë, ka luftuar kundër Hezbollahut në Liban, ka pushtuar territore të reja në Siri dhe ka nisur një luftë përkrah SHBA-së kundër Iranit. ©Marrë nga The Guardian, përgatiti në shqip LAPSI.al