Flash

Mbi 1 mijë të huaj të dyshuar për krime në Shqipëri, numri rritet 73% në dy vjet

Lapsi.al 30 September 2026

Kriminaliteti me përfshirje të shtetasve të huaj zakonisht hyn në vëmendjen e publikut shqiptar përmes ngjarjeve që ndodhin jashtë kufijve, ku protagonistë janë shtetas shqiptarë.

Por lëvizja e njerëzve nuk ka vetëm një drejtim dhe as statistikat e kriminalitetit nuk bëjnë përjashtim.

Teksa Shqipëria pret çdo vit më shumë turistë, punonjës dhe shtetas të huaj që zgjedhin të jetojnë këtu, është rritur ndjeshëm edhe numri i të huajve që përfundojnë në statistikat e Policisë si të dyshuar për vepra penale.

Numri i shtetasve të huaj të dyshuar për vepra penale në Shqipëri po rritet me ritëm shumë më të shpejtë se numri i përgjithshëm i personave të dyshuar. Në vitin 2024, shifra kaloi për herë të parë pragun e 1 mijë personave.

Sipas raportit të INSTAT “Statistikat e krimeve dhe drejtësisë penale 2022-2024”, gjatë vitit 2024 u evidentuan 1,020 shtetas të huaj të dyshuar, nga 737 në vitin 2023 dhe 589 në vitin 2022. Kjo përkthehet në një rritje prej 38.4% brenda një viti dhe 73.2% në dy vjet. 

Diferenca bëhet më e dukshme kur të dhënat krahasohen me ecurinë e përgjithshme të kriminalitetit të regjistruar. Në vitin 2024, Policia evidentoi 40,057 persona të dyshuar për vepra penale, 1.4% më shumë se në vitin 2023 dhe 4.9% më shumë se në vitin 2022. Në të njëjtën periudhë, numri i të huajve të dyshuar u rrit me 73.2%.

Për pasojë, është rritur edhe pesha e tyre në totalin e personave të dyshuar: nga 1.5% në vitin 2022, në 1.9% në 2023 dhe 2.5% në 2024. Me fjalë të tjera, rreth një në çdo 40 persona të dyshuar për vepra penale në Shqipëri gjatë vitit të kaluar ishte shtetas i huaj.

Megjithatë, të huajt mbeten një pjesë e vogël e totalit. Nga 40,057 persona të dyshuar në vitin 2024, 39,037 ishin shtetas shqiptarë dhe 1,020 shtetas të huaj.

Nga trafiku rrugor te droga dhe mashtrimet

Të dhënat e detajuara të INSTAT tregojnë se të huajt e dyshuar shfaqen në disa kategori kryesore të veprave penale. Numrin më të lartë ndër kategoritë e veçuara e kanë shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, me 132 persona në vitin 2024, nga 110 në 2023 dhe vetëm 48 në 2022.

Pas tyre vijnë krimet në fushën e drogës, ku numri i shtetasve të huaj të dyshuar arriti në 110, kundrejt 79 një vit më parë dhe 56 në vitin 2022.

Edhe te mashtrimet tendenca është në rritje: 53 të huaj të dyshuar në 2024, nga 39 në 2023 dhe 23 në 2022. Për vjedhjet, numri u rrit nga 21 në 2022 në 43 në vitin 2024.

Rritja shfaqet edhe te krimet kibernetike. Në vitin 2024 u evidentuan 35 shtetas të huaj të dyshuar, kundrejt 22 në vitin 2023.

Edhe te pastrimi i parave numri është rritur, ndonëse mbetet relativisht i vogël: nga 4 shtetas të huaj në vitin 2022 në 14 në 2024.

Ndërkohë, për trafikimin e qenieve njerëzore rezultojnë 25 shtetas të huaj të dyshuar në vitin 2024.

Një ndryshim veçanërisht i fortë regjistrohet te shfrytëzimi i prostitucionit. Në vitin 2024, 59 shtetas të huaj rezultojnë të dyshuar për këtë vepër, ndërsa në vitin 2023 ishin vetëm 3.

Vetë INSTAT evidenton se të huajt janë të përfshirë më së shumti në shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, krimet në fushën e drogës, shfrytëzimin e prostitucionit, vjedhjet, mashtrimet dhe krimet kibernetike.

Rritja e numrit të të huajve të dyshuar vjen në një periudhë kur është zgjeruar edhe prania e shtetasve të huaj në vend, për turizëm, punë apo qëndrim afatgjatë.

Sipas INSTAT, në fund të vitit 2024 në Shqipëri kishte 21,940 shtetas të huaj me leje qëndrimi, 2.2% më shumë se një vit më parë. Mbi gjysma e tyre, 54.3%, kishin leje qëndrimi për arsye punësimi.

Shumë më e fortë ka qenë rritja e flukseve turistike. Gjatë vitit 2024 u regjistruan rreth 11.7 milionë hyrje të shtetasve të huaj, 15.2% më shumë se në vitin 2023. Kjo shifër përfaqëson hyrjet në kufi dhe jo numrin e individëve unikë, pasi një person mund të regjistrojë disa hyrje gjatë vitit. /D.Hyka, Monitor 

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI