
Dy kompani me seli në Milano dhe Lecco të Italisë kanë përfunduar në shënjestrën e Antimafias, të akuzuara për pastrimin e parave që dyshohet se vinin nga një rrjet ndërkombëtar i trafikut të kokainës mes Italisë, Holandës, Gjermanisë dhe Shqipërisë.
Sipas mediave italiane, organizata kriminale përbëhej pothuajse tërësisht nga shtetas shqiptarë, ndërsa paratë pastroheshin në Itali dhe më pas transferoheshin sërish në Shqipëri. Bëhet fjalë për një aktivitet kriminal me përmasa të mëdha financiare, i cili dyshohet se i ka siguruar organizatës më shumë se 14 milionë euro të ardhura. Dy kompanitë me seli në Lecco janë sekuestruar.
Operacioni, i koduar “Caveau 38”, u zhvillua nga Drejtoria e Antimafias së Milanos (DDA), në bashkëpunim me autoritetet shqiptare.
Hetimet çuan në zbulimin e një “organizate kriminale”, të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, e cila dyshohet se ishte përfshirë në një “trafik ndërkombëtar të kokainës me një sasi prej rreth 240 kilogramësh”, si dhe në grumbullimin dhe transferimin drejt Shqipërisë të shumave të parave cash që kalonin 14 milionë euro.
Guardia di Finanza ekzekutoi një masë urgjente të sekuestros parandaluese ndaj dy kompanive në Lecco, të cilat dyshohet se përdoreshin nga organizata kriminale shqiptare.
Si pastroheshin paratë e përfituara nga droga
Pastrimi i parave dyshohet se kryhej edhe nëpërmjet blerjes së shufrave të arit, me një peshë totale prej afro 8 kilogramësh. Ari blihej në Itali përmes një kompanie që ushtronte aktivitet në sektorin e përpunimit të metaleve të çmuara, me seli në Milano dhe Alessandria. Edhe kjo kompani është vënë nën sekuestro.
Pas pastrimit të parave përmes aktiviteteve të tjera të ligjshme, shumat transferoheshin më pas drejt Shqipërisë. Kompania e dytë e sekuestruar shërbente si një "kasafortë e grupit kriminal”, duke investuar paratë në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Për kompanitë e sekuestruara është emëruar një administrator gjyqësor, i cili do të kujdeset për administrimin e tyre. Në kuadër të këtij hetimi janë marrë zyrtarisht nën hetim 52 persona dhe dy kompani, për veprimtari të dyshuara kriminale të kryera gjatë periudhës 2019–2022. Sipas hetuesve, organizata përdorte sisteme të komunikimit të enkriptuar për organizimin e transaksioneve të veçanta të drogës dhe të parave cash.
Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu mbi 1,5 milionë euro para të gatshme, sasi kokaine, heroine dhe marihuane, me një peshë totale prej rreth 32 kilogramësh. Ndërkohë, 6 persona u arrestuan në flagrancë. ©LAPSI.al