Flash

Sacha Baron Cohen rikthen Ali G-në pas 20 vitesh, aktivistët kërkojnë ndalimin e filmit

Lapsi.al 31 August 2026

Filmi i ri i Sacha Baron Cohen, “Ali G: Who Iz I?”, është përfshirë në një valë kritikash, ndërsa aktivistë kanë nisur një peticion për të kërkuar që produksioni të mos shfaqet në kinema, me pretendimin se promovon “stereotipe raciste”.

Baron Cohen, 54 vjeç, publikoi javën e kaluar trailerin e parë të filmit, duke rikthyer personazhin e famshëm satirik Ali G pas rreth dy dekadash mungesë.

Filmi, i cili shënon edhe debutimin e tij si regjisor, është xhiruar në fshehtësi përgjatë një viti. Historia ndjek jetën e Ali G-së “që kur bota shkoi për dreq”, ndërsa në film shfaqet edhe e dashura e tij shtatzënë, e interpretuar nga aktorja Morgana Robinson.

Megjithatë, rikthimi i personazhit është pritur me kritika të forta.

Një ditë pas publikimit të trailerit, platforma britanike NewsCord nisi një fushatë ku u bën thirrje kinemave në mbarë botën të refuzojnë shfaqjen e filmit. Sipas organizatorëve, ata u kanë dërguar kërkesën 15 zinxhirëve të mëdhenj të kinemave dhe pretendojnë se, deri të dielën, janë gjeneruar rreth 41 mijë email-e në kuadër të fushatës. Aktivistët pretendojnë se personazhi i Ali G-së përdor satirën si “mbulesë për të përforcuar stereotipe raciste”.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, ata argumentojnë se personazhi paraqet një imazh stereotipik të një burri me origjinë xhamajkane, duke e lidhur atë me përdorimin e kanabisit, mizogjininë dhe një mënyrë jetese pa qëllim.

“Bota qesh me Ali G-në. Por objektivi i vërtetë i shakasë janë njerëzit me ngjyrë dhe, në veçanti, xhamajkanët”, pretendojnë organizatorët e fushatës.

Ata kanë rikthyer gjithashtu në vëmendje kritikat e mëparshme ndaj personazhit. Sipas tyre, komedianë britanikë me ngjyrë e kishin cilësuar Ali G-në si një “alibi për racizmin” që në vitin 2000, ndërsa autorja Jeanette Winterson e kishte krahasuar personazhin me traditën e “Black and White Minstrels”.


Baron Cohen kishte paralajmëruar rikthimin e personazhit gjatë një paraqitjeje surprizë në Wimbledon në korrik, ku u shfaq me pamjen karakteristike të Ali G-së: bizhuteri të mëdha, tuta sportive dhe syze.
Ali G u shfaq për herë të parë në ekran në vitin 1998, në programin britanik “The 11 O'Clock Show”, përpara se të bëhej protagonist i “Da Ali G Show” në fillim të viteve 2000.

Në vitin 2002, personazhi u shfaq në filmin “Ali G Indahouse”.

Baron Cohen e tërhoqi personazhin në vitin 2007, pasi fama e tij ishte rritur ndjeshëm dhe situatat e improvizuara me njerëz që nuk e njihnin identitetin e tij real ishin bërë gjithnjë e më të vështira.

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI