
Protestuesit kanë njoftuar se nesër, në orën 09:00, do të zhvillojnë protestën e radhës para Parlamentit, në vijim të tubimeve kundër qeverisë së Edi Ramës. Pas disa orësh qëndrimi para Kryeministrisë, qytetarët janë zhvendosur këtë të mërkurë drejt sheshit “Skënderbej”, ndërsa protesta vijon në kuadër të lëvizjes kundër qeverisë.
Protesta e sotme është zhvilluar pa incidente të rënda, ndonëse nuk kanë munguar disa momente tensioni dhe përplasje të vogla. Krahas studentëve, në tubim janë bashkuar edhe pedagogë, të cilët kanë shprehur mbështetjen për kërkesat e të rinjve.
Edhe këtë ditë, thirrja e kryeministrit për dialog nuk është pranuar nga studentët. Pedagogët kanë deklaruar se nuk mund të zhvillojnë bisedime me kreun e qeverisë nëse studentët nuk janë të gatshëm të ulen në dialog.
Ndërkohë, protesta pritet të zgjerohet edhe më tej. Për të premten, mjekët kanë njoftuar se do t’i bashkohen tubimit të studentëve, duke shtuar kështu pjesëmarrjen në protestat që po zhvillohen në Tiranë.