
Si cdo propagandist tjetër i Edi Ramës, në media dhe politikë, edhe Ministri i Punëve të Brendshme Ervin Demo kishte dalë sot në terren për të "vajtuar" semaforët e dëmtuar gjatë protestave në kryeqytet.
Me të njëjtin stil si Erion Veliaj në vaktin e vet pas cdo proteste të opozitës, edhe Demo qau sot hallin e qytetarëve për vonesat në punë. Ironikisht e qan këtë hall pikërisht tani që janë prishur disa prej semaforëve dhe jo më parë kur Tirana ka qenë sërish një tmerr për trafikun.
“Ne kemi qenë dëshmitarë të asaj çfarë ka ndodhur në Tiranë gjatë javëve të fundit, dhe patjetër që dëmtimi i infrastrukturës, sinjalistikës në tërësi, i infrastrukturës urbane ka sjellë vështirësi në qarkullim. Kuptohet që dëmtimi i semaforëve janë elementët e parë që kanë sjellë, e këtu jemi pikërisht te "21-shi", i cili është një nga nyjet më problematike që kemi. Masat janë shtuar nga Policia e Qarkullimit Rrugor, por ne duhet të garantojmë që qytetarët nuk duhet kurrsesi të humbasin më shumë kohë se ç'është e domosdoshme për sa i përket vajtjes në punë, shkolla dhe aq më tepër për të garantuar, në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e qarkullimit rrugor në tërësi. Duhet me patjetër të bëjmë një vlerësim në fund të kësaj jave, për sa i përket masave dhe efektit që ato kanë pasur, përsa i përket lëvizjes dhe kohës që qytetarët humbasin në trafik", u shpreh ministri Demo.