Flash

PDK dhe Aleanca bllokojnë godinën e qeverisë së Kosovës: Konstituoni Kuvendin

Lapsi.al 4 September 2026

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës kanë vazhduar për të katërtën javë radhazi aksionin para godinës së qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në ndërtesë dhe duke kërkuar zhbllokimin e konstituimit të institucioneve. Aksionit të së premtes iu bashkuan edhe aktivistë dhe asamblistë të PDK-së nga Prizreni dhe Suhareka. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk iu bashkua protestës. Në aksion nuk morën pjesë as gjashtë deputetët e LDK-së që kanë dalë kundër marrëveshjes së arritur mes partisë së tyre dhe Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen e presidentit.

PDK dhe Aleanca kërkojnë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të ndërmarrë hapa për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja, duke theksuar se vendi nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë me institucione në detyrë. Ngërçi politik vazhdon që prej 8 gushtit, kur u ndërpre seanca konstituive e Kuvendit. Që atëherë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, deputet i Vetëvendosjes, nuk e thërret vazhdimin e saj.

Nga ana tjetër, Kurti ka deklaruar se seanca për konstituimin e Kuvendit pritet të mbahet pasi të arrihet një marrëveshje politike për presidentin. Marrëveshja mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, e bërë publike të premten, parashikon mbështetjen e kandidaturës së Bekim Sejdiut për president. Megjithatë, kjo marrëveshje ka hasur në kundërshtime brenda grupit parlamentar të LDK-së. Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin me argumentin se nuk duan t'i japin “më shumë pushtet Kurtit”, partia e të cilit i fitoi zgjedhjet e 7 qershorit dhe llogaritet t’i ketë numrat për ta bërë qeverinë e re.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se qëndrimi i gjashtë deputetëve e vështirëson sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit dhe rrit rrezikun që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Për ekspertët e së drejtës kushtetuese, debati mbi gjashtë deputetët e LDK-së që kundërshtojnë marrëveshjen me Vetëvendosjen nuk mund të zvogëlohet vetëm te qëndrimi i tyre. Sipas tyre, mandati i deputetit është individual dhe Kushtetuta nuk e detyron atë të votojë sipas vendimit të partisë.

Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj i tha Radio-s Europa e Lirë se marrëveshjet politike kanë peshë politike, por nuk ia heqin deputetit të drejtën për të marrë një vendim sipas bindjes së tij. 

“Nëse një pjesë e deputetëve të LDK-së nuk e mbështet kandidatin, kjo mund të krijojë problem politik për partinë që ka hyrë në marrëveshje, por nuk do të thotë se vetëm ata janë përgjegjës për dështimin eventual të zgjedhjes së Presidentit”, tha ai. Ligjëruesi Abit Hoxha gjithashtu vlerëson se demokracia siguron mendimin e pavarur të deputëtëve dhe siguron mekanizma që u mundësojnë deputetëve të votojnë si dëshirojnë. “Përndryshe, do të ishte tirania e shumicës”, thotë ai.

Njohës të politikës ndërkohë thonë se mungesa e konsensusit brenda LDK-së ka shtuar mundësitë që Kosova të shkojë në zgjedhje. "Deputetët e LDK-së kanë thënë disa herë që ata janë kundër çdo bashkëpunimi me Kurtin dhe kjo nënkupton edhe zgjedhjen e presidentit. Tashmë është e qartë që gjasat janë shumë të mëdha që të shkojmë në zgjedhje, pasi që ndarja brenda LDK-së është shumë e madhe dhe kjo nuk është një risi, kjo është diçka që ka qenë evidente qysh më herët, kështu që aktualisht në gjendjen në të cilën gjendemi, zgjidhja e vetme do të jenë zgjedhjet e reja", tha për RTK-në, Artan Alijaj./REL

Të këshilluara

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

91.10

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI