
Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në aksin rrugor Prezë-Vorë. Një 60-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e përplasjes nga një autoveturë, sot rreth orës 05:00 të mëngjesit. Sipas burimeve të informacionit, mësohet se viktima është Skënder Alushi, nga fshati Prezë. Burimet bëjnë të ditur se ai kishte dalë në kryqëzimin e rrugës që lidh fshatin Ahmetaq me Prezën.
Sapo 58-vjeçari kishte dalë në kryqëzim, në pritje të ndonjë mjeti për të shkuar në punë, një autoveturë që po lëvizte nga Preza drejt Vorës e ka përplasur, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Drejtuesi i mjetit e ka marrë 58-vjeçarin dhe e ka dërguar në spitalin e Vorës. Sipas mjekëve të këtij spitali, ndërhyrja e tyre ka qenë e pamundur, pasi ai kishte ndërruar jetë pak minuta pas aksidentit.
Njoftimi i policisë:
-Rreth orës 05:45, në Fushë Prezë, shtetasi E. Xh., 35 vjeç, dyshohet se me automjetin që drejtonte ka përplasur shtetasin S. A., 58 vjeç, këmbësor, i cili për pasojë ka humbur jetën.
Me shtetasin E. Xh. po kryhen veprimet procedurale.