
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt qartazi shihet se ka pasur një “zinxhir sistemor lëshimesh” nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë.
Gjatë mbledhjes së ekzekutivit të mbajtur këtë të mërkurë, Kurti tha se kjo vrasje, e paralajmëruar nga vetë viktima, “nuk kishte se si të përfundonte ndryshe”.
“Kjo e bën edhe më të pafalshme situatën”, tha ai.
Në orët e vona të ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka arrestuar në Deçan autorin e dyshuar të vrasjes së Arlinda Zekajt, kunatin e saj.
Arlinda u vra pranë shtëpisë së saj në Vitomiricë të Pejës mbrëmjen e 25 tetorit, pak pasi kishte raportuar në polici dhunë në familje nga ish-bashkëshorti i saj.
Kurti tha se në Kosovë, drejtësia “fatkeqësisht nuk është në mbrojtje të të dobëtit, përkundrazi drejtësia ka dalë në krahun e të fortit”. Sipas tij, drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë e shtrembër.
“Republika e Kosovës nuk ka më nevojë për asnjë provë që të konstatojë se është urgjencë kombëtare drejtimi i drejtësisë”, tha ai.
Kurti kujtoi se për rastin e Arlindës, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme kanë afat deri nesër në orën 18:00 të paraqesin raportet e tyre të detajuara mbi evidencat dhe lëshimet në secilin zinxhir të institucioneve.
Gjatë ditës, është thirrur një protestë për vrasjen e Arlindës, e cila është gruaja e tetë që vritet gjatë këtij viti.
Arlinda kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet. Ajo i ishte drejtuar autoriteteve duke thënë se qysh në dhjetor të vitit të kaluar, bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, e kishte kërcënuar me jetë.
Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj derisa ishte në betejë ligjore për dhunë në familje me bashkëshortin e saj, i cili tashmë është nën aktakuzë.