
Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit për rrëzimin e përkohshëm të bojkotit të seancave gjyqësore në shkallën e parë të GJKKO-së nuk ka sjellë rikthimin e avokatëve në gjykatë. Edhe këtë të enjte, avokatët nuk janë paraqitur në seancat gjyqësore, duke çuar në dështimin e të paktën 10 proceseve.
Mes tyre janë edhe çështja ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, si dhe procesi ndaj Ilir Beqjas për dosjen e Sterilizimit. Avokatët janë në pritje të një qëndrimi zyrtar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, e cila pritet të zhvillojë një mbledhje për të diskutuar situatën pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit.
Deri në marrjen e një vendimi të ri nga Dhoma, avokatët bëjnë me dije se do të vijojnë bojkotin e proceseve gjyqësore në GJKKO. Bojkoti i seancave gjyqësore në GJKKO nisi më 9 shtator, në shenjë proteste ndaj një rregulloreje të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, të cilën avokatët e konsiderojnë censuruese.