
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas votimit të ligjit për mbrojtjen e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një përpjekje të kryeministrit Edi Rama për të mbrojtur veten dhe njerëzit e tij.
Në një status publik, Berisha e ka cilësuar situatën si të pashembullt në histori dhe si shenjë të një “regjimi absolutar”, duke theksuar se ligji synon të krijojë mbrojtje të veçantë për zyrtarët e pushtetit.
“E pashembullt në histori! Regjim absolutar! Miq, sot Edi Rama votoi ligjin për mbrojtjen e guvernatorit të Bankës kur ai vjedh! Në fakt, ligjin e ka për veten e tij!
Në ‘Fermën e Kafshëve’ të Orwell-it, të gjitha kafshët janë të barabarta, por derrat janë më të barabartë se të tjerët!
Është më e ndershme që Edi Rama të legalizojë vjedhjen, sesa të bëjë ligje të veçanta për mbrojtjen e vet dhe të “derrave” të tij!” - shkruan Berisha.
Me 84 vota pro, shumica parlamentare miratoi të enjten ligjin e ri për Bankën e Shqipërisë, duke i dhënë guvernatorit mbrojtje të posaçme nga arrestimi dhe kontrollet pa autorizimin e Kuvendit. /LAPSI.al