
I pyetur të komentojë situatën në Serbi kreu i PD tha se, ‘ajo që ndodh në Shqipëri nuk ka lidhje me skenarin serb, atje nuk kishte një parti opozitare si PD’.
Meri Kurti: Flitet se studentët janë drejt krijimit të një fronti apo partie, ku pjesë e saj nuk do të jenë as Partia Socialiste dhe as Partia Demokratike. A mendoni se po shkohet drejt një skenari serb dhe cilat do të jenë veprimet tuaja?
Sali Berisha: Meri, faleminderit për pyetjen.
Së pari, duke lënë modestinë mënjanë, Sali Berisha me bashkëpunëtorët e tij, duke themeluar Partinë Demokratike në vitin '90, themeloi pluralizmin politik. Dhe unë kurrë nuk mund të kem asnjë lloj qëndrimi negativ ndaj atyre që duan të krijojnë formacionin e tyre politik.
Pra, për mua, pluralizmi politik është shtyllë kryesore e demokracisë dhe cilido ka të drejtën e tij të veprojë sipas mendimit, dëshirës së tij.
A ka ngjashmëri me skenarin serb, në qoftë se e duan një këshillë miqësore paraprake? Jo, absolutisht!
Thjesht miqësore, unë u them se nuk ka ngjashmëri.
Skenari serb, siç e dini zonjë, është skenar i udhëhequr i tëri nga infrastruktura shtetërore e universiteteve të Serbisë.
Me në krye rektorin e Beogradit, me në krye të gjithë dekanët, pra ishte bota akademike zyrtare shtetërore serbe që udhëhoqi lëvizjen e studentëve.
Së dyti, skenari serb ishte një skenar që u zhvillua në dy vite, në 700 e sa ditë.
Së treti, lista studentore në Serbi përballej me një numër prej 30 e sa partish opozitare të vockla që shkonin maksimumi mos gabohem gjer në 7-8%. Pra, nuk kishte në Serbi një parti opozitare siç është Partia Demokratike.
Ndaj dhe ajo që u sugjeroj të gjithë atyre, ata kanë shumë të drejtë të ndërmarrin çdo hap, vetëm të mos besojnë në atë që nuk është reale.