
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama për protestat dhe kërkesat e të rinjve, duke e akuzuar atë për standarde të dyfishta në trajtimin e qytetarëve protestues dhe zyrtarëve të qeverisë.
Në një reagim publik, Bardhi deklaron se, sipas tij, në mungesë të përgjigjeve për kërkesat e rinisë, Rama zgjedh baltosjen dhe shpifjen. Kreu i grupit parlamentar të PD-së vë në pikëpyetje mënyrën e verifikimit të integritetit të zyrtarëve të lartë të qeverisë, deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të institucioneve.
Bardhi përmend në reagimin e tij Belinda Ballukun, Erion Veliajn, Mirlinda Kaçanajn, Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin, duke pretenduar se kryeministri mban qëndrime të ndryshme ndaj figurave të pushtetit dhe qytetarëve që dalin në protestë.
Sipas Bardhit, qytetarët nuk mund të konsiderohen fajtorë pa prova dhe pa një vendim gjykate, ndërsa për zyrtarët publikë duhet të zbatohen të njëjtat standarde të përgjegjësisë dhe prezumimit të pafajësisë.
Në përfundim, deputeti demokrat akuzon Ramën se e ka vendosur ruajtjen e pushtetit mbi integritetin, përgjegjësinë dhe interesin e qytetarëve, duke e lidhur këtë qëndrim me situatën aktuale politike në vend.