
Pas përplasjeve të ashpra dhe kaosit të javës së kaluar, Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në një tjetër seancë plenare. Në rendin e ditës janë 18 pika, mes tyre një interpelancë me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si edhe disa projektligje që lidhen me ekonominë, sistemin bankar, biznesin dhe administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara. Seanca vjen pas tensioneve të 22 tetorit, kur deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe kundërshtuan kalimin në votim të projektligjeve pa debat.
Në një prej momenteve më të tensionuara, Flamur Noka i hoqi mikrofonin Taulant Ballës dhe më pas tentoi t’u merrte kartat e votimit deputetëve të mazhorancës. Përplasjet sollën edhe ndërhyrjen e Gardës, ndërsa socialistët vijuan votimet deri në mbylljen e seancës. Në të njëjtën kohë, jashtë Kuvendit zhvillohej protesta e studentëve dhe qytetarëve, të cilët kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Opozita kërkoi që në sallë të diskutohej edhe për ndërhyrjet e policisë dhe ndalimet e protestuesve. Pas incidenteve, Grupi Parlamentar i PS-së kërkoi masa disiplinore ndaj 20 deputetëve të opozitës. Për gjashtë prej tyre, mes të cilëve Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka dhe Luçiano Boçi, u kërkua përjashtim 60-ditor.
Në seancën e sotme pritet fillimisht interpelanca me Blendi Gonxhen, e kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa. Në rendin e ditës është edhe projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë, si dhe akti normativ që parashikon ndryshime në ligjin për akcizat. Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu marrëveshjen financiare me Gjermaninë për vijimin e programit të rinovimit të konvikteve universitare, projektligjin për Këshillin Fiskal dhe atë për mbrojtjen e konsumatorit.
Një pjesë e rëndësishme e paketës lidhet me biznesin, me ndryshime në ligjin për Qendrën Kombëtare të Biznesit, regjistrimin e biznesit dhe shoqëritë tregtare. Në diskutim do të jenë edhe ndryshimet për administrimin e objekteve të konfiskuara dhe përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si edhe administrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Rendi i ditës përfshin gjithashtu ndryshime në ligjin për peshkimin dhe disa projektvendime për strukturën dhe organikën e KQZ-së dhe ILDKPKI-së.