
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka përsëritur thirrjen për dialog mes qeverisë dhe protestuesve, në një kohë kur protestat kundër qeverisë vijojnë për shkak të pakënaqësive dhe kërkesave të studentëve. Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook, Rama u shpreh se qytetarët mund të kenë shumë arsye për të protestuar, por asnjëra prej tyre nuk justifikon përdorimin e dhunës.
Rama theksoi se përmes dialogut mund të gjenden zgjidhje për shqetësimet e qytetarëve dhe të diskutohen mënyrat për përmirësimin e vendit. Më tej, ai paralajmëroi masa ndaj personave që kryejnë akte shkatërrimi gjatë protestave, duke thënë se kush shkatërron, do të paguajë. Në lidhje me këtë, Rama tha se përgjigja do të jetë ligjore, do të jetë financiare.
“Ka 1001 pakënaqësi, halle e probleme, arsye për të protestuar. Por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun mes njerëzish që ndajnë të njëjtin atdhje, që duan të njëjtën gjë, si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë. Dhuna është krim i ndëshkueshëm. Dje, dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri. Përgjigja do të jetë ligjore, do të jetë financiare. Kush shkatërron, do të paguajë. Shqipëria është e të gjithëve”, shprehet Edi Rama në videon e postuar në “Facebook”.