
Një defekt teknik dyshohet se mund të ketë shkaktuar rrëzimin e helikopterit ushtarak italian në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku humbën jetën katër persona dhe 11 të tjerë mbetën të plagosur. Megjithatë, shkaku i saktë i aksidentit mbetet ende i paqartë dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e tragjedisë.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, helikopteri i tipit CH-47F Chinook ishte pjesë e misionit europian EUFOR Althea dhe po kryente një aktivitet stërvitor pranë zonës së Brçkos, kur u rrëzua më 29 tetor. Mes viktimave janë dy pjesëtarë të ushtrisë italiane dhe dy anëtarë të trupave vullnetare ushtarake të Kryqit të Kuq Italian.
Ndër pistat që po shqyrtohen është një problem i mundshëm mekanik, por edhe mundësia e përplasjes me kabllo gjatë fluturimit. Pamjet e publikuara pas aksidentit kanë treguar se helikopteri humbi stabilitetin përpara se të përplasej me tokën. Të 11 personat e plagosur po marrin trajtim mjekësor dhe, sipas informacioneve të bëra publike, asnjëri prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën. Hetimet teknike pritet të përcaktojnë shkakun e saktë të rrëzimit.