
Kuvendi i Kosovës do të mbajë këtë të hënë një seancë të jashtëzakonshme plenare. Seanca mësohet se do të mbahet në orën 15:00, ku në fokus do të jetë vrasja e një gruaje e cila u regjistrua mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës. Gjithashtu do të diskutohet edhe përgjegjësia institucionale për këtë rast pasi ka patur raportime se viktima 2 orë para ngjarjes kishte njoftuar autoritetet për dhunë në familje.
I dyshuari për vrasjen është kunati i viktimës, i cili, ndodhet ende në arrati. Sipas të dhënave fillestare, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë, ndërsa dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.
Gjithashtu është raportuar se viktima, tre ditë para vrasjes përmes një letre i është drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë së Pejës, përmes së cilës ka shprehur pakënaqësinë me zyrtarët të cilët po trajnonin rastin e saj.
Ajo gjithashtu ishte ankuar për praninë e familjarëve të ish-bashkëshortit në shtëpinë ku ajo pretendonte se po i pengohej kthimi. Ajo kishte kërkuar ndërhyrjen e Policisë, duke ngritur shqetësime edhe për moszbatimin e një vendimi gjyqësor lidhur me përkujdesjen ndaj fëmijës së saj.